Krimet e luftës do të trajtohen edhe nga vendësit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se SITF-ja ka për trajtim vetëm supozimet e raportit të Martyt dhe se çështjet tjera do të mbesin nën kompetencë të prokurorëve vendës dhe atyre të EULEX-it që do të punojnë në Kosovë.

Lajme

16/04/2014 07:11

Gjykata Speciale nuk do të trajtojë të gjitha krimet e supozuara të luftës, të kryera në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”. Mandati i saj do të kufizohet vetëm në supozimet e përfshira në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori Dick Marty.

Për të trajtuar supozimet e këtij raporti, Bashkimi Evropian pati themeluar në 2011-n Task-Forcën Speciale për Hetime (SITF), me mandat për të hetuar, e nëse është e nevojshme, edhe për ndjekur penalisht individë të dyshuar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka thënë kësaj gazete se, edhe pas themelimit të Gjykatës Speciale, prokurorët vendës do të mund të trajtojnë të këtilla krime.

“Me Kodin Penal parashihen edhe këto vepra dhe kjo nënkupton se prokurorët tanë kanë mandate për trajtimin e veprave të tilla. SITF-ja ka për trajtim vetëm supozimet e raportit të Martyt, por çështje të tjera mbesin nën kompetencë të prokurorëve vendës dhe atyre të EULEX-it që do të punojnë në Kosovë”, tha Kuçi për KD.

Në anën tjetër, Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, ka shprehur bindjen se Kosova ka nevojë për të ngritur kapacitetet e saj, për të trajtuar lëndët që bien në domenin e trajtimit nga Prokuroria Speciale