Kreu i BI të Maqedonisë: Pse shteti regjistron Forumin Rinor Islam?

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi tha se besimtarë myslimanë të nacionalitetit shqiptar në Maqedoni, si dhe më gjerë në rajon, janë keqpërdorur në lidhje me luftërat në Siri dhe Irak dhe se është mendim i gabuar se ata që vriten në ato luftëra do të bëhen dëshmorë ose shehidë. Ai fajëson shtetin pse lejon regjistrimin e Forumit Rinor Islam, gjw qw nuk ndodh askund në botë. MPB e Maqedonisë thotë se ndjek me vëmendje ekstremizmin dhe bashkpëunon edhe me MPB-në e Kosovës.

Lajme

17/08/2014 00:30

Atje po bëhet një luftë e përgjakshme vëllavrasëse dhe nuk mund të arsyetohet pjesëmarrja e shqiptarëve në atë konflikt, tha Rexhepi për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.

“Njerëzit ende nuk e kanë kuptuar se çdo të thotë të mbrosh vatanin. Ka një thënie të profetit Muhamed se: ‘të duash Vatanin, të duash Atdheun është pjesë e besimit, është pjesë e imanit të një besimtari mysliman’. Mirëpo këtu nuk është në pyetje ajo që dikush vullnetarisht të përfshihet në një konflikt luftarak me synim të mbrojtjes së vatanit dhe nëse eventualisht bie viktimë në atë front të konsiderohet  shehid (dëshmor). Kjo është shumë gabim. Unë kam reaguar gjithmonë dhe ua kam tërhequr vërejtjen atyre për të cilët mendoj se po bëjnë frymëzimin e të rinjve për të shkuar në atë luftë. Nuk mund të jetë shehid një njeri i cili ka shkuar në një luftë civile të ndezur nga pozita dhe opozita. Edhe më keq është kur atje paraqiten ndarje dhe fraksione, siç është rasti me organizatën ISIS dhe themelimin e Kalifatit islamik. Nuk ka përmbajtje as fundament islamik… ai rreth dhe ajo celulë është tërësisht terroriste! Bën masakrimin e popullit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare”, tha kreu i BIM.

Sipas Rexhepit, ata shqiptarë të cilët shkojnë për të luftuar në Siri e Irak kanë për motiv kryesor interesin material.

“Ata persona të cilët bëjnë frymëzimin për pjesëmarrje në luftën e Sirisë, vetë mbeten në shtëpi, ndërsa kanë artikulime të interesave materiale. Ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë dëmi na bëjnë ne si myslimanë dhe si shqiptarë. Kam një porosi për të gjithë ata të cilët e duan paqen, duan kulturë dhe civilizim: kërkoj që të funksionojë shteti juridik”, tha ai.

Ai nuk e përjashton mundësinë që frymëzuesit e atyre personave që shkojnë për të luftuar të jenë edhe nëpër xhamitë e këtushme. Ai pranoi se dy xhami të Shkupit nuk janë nën kontroll të plotë të Bashkësisë Islame.

“Mund të ketë. Por ne me përpjekje maksimale që më parë kemi krijuar një pozicion: asnjë imam nuk mund të jetë në xhamitë tona nëse nuk nënshkruan një deklaratë, ku thuhet se në praktikë, në veprim në predikim nuk i largohen shkollës juridike Hanifije dhe nëse në çastin kur lëviz nga interpretimi burimor, autokton, tradicional, atëherë BFI lirisht mund ti largojë nga angazhimi si imam të xhamive. Mirëpo, kemi vetëm një problem dhe këtë nuk mund ta fshehim. Është xhamia e Jahja Pashës dhe e Tutunsëzit. Në këto dy xhami, edhe pse punëtorët, imamët dhe ndihmësit e tyre janë njerëz tanë, nuk e kemi njeriun e parë të quajtur murterverli, nuk është i yni por është i imponuar. Ne megjithatë jemi të lirë dhe nuk mund të na e ndalojnë hyrjen, por nuk kemi kontroll të plotë të këtyre dy xhamive. Ne kemi kërkuar nga organet kompetente qeveritare që të na ndihmojnë duke respektuar ligjin, por ato nuk e kanë bërë punën e vetë, prandaj nëse diçka ndodh në Jahja Pashë ose Tutunsëz – për ne do të ketë ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe jo në objektet tona”, tha Sulejman Rexhepi.

Ai kritikoi autoritetet e shtetit që lejojnë organizata të ndryshme të merren me çështjet e fesë:

“Forumi Rinor Islam… Kjo gjë ndodhë vetëm tek ne shqiptarët dhe myslimanët. Askund në botë nuk ka Forum Rinor Krishter, as Orthodoks e as Katolik. Për këtë nuk kemi faj ne, por administrata shtetërore e cila i regjistron dhe u lejon një gjë të tillë. Unë kam kërkuar statusin e tyre dhe nuk e kam gjetur në shërbimin civil të Republikës së Maqedonisë. Kam autorizuar avokat dhe ky ma përcolli se dosja, statuti i tyre ndodhet në shërbimet e inteligjencës!”, tha kryetari Rexhepi.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni e mbështet aksionin e fundit të autoriteteve policore të Kosovës lidhur me grupet e konsideruara si radikale, por e vlerëson si një skenar spektakolar që lë dyshim se veprimi ka qenë i imponuar, ndërkohë që thotë se fjalën e fundit do ta japin autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Në anën tjetër, Ministria e Brendshme e Maqedonisë tha se po i ndjek me vëmendje dukuritë e ekstremizmit jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ministrja e Brendshme thotë se ka kontakte dhe shkëmbim informatash me Kosovën, ku u arrestua një grup i madh ish luftëtarësh në formacionet në Siri dhe Irak.

“Ne me Kosovën kemi firmosur marrëveshje për bashkëpunim policor në kuadër të së cilës këmbehet një sasi e caktuar të dhënash, por vazhdimisht ka hapësirë për bashkëpunim më të mirë dhe më intensiv. Sidomos kur bëhet fjalë për çështjet që janë një kërcënim serioz për sigurinë”, tha ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, raporton Alsat-M.

Në opinion deri tani flitet për të paktën 4 shtetas nga Maqedonia që kanë rënë viktima në konfliktin në Siri, e që luftonin në anën e kryengritësve. Nuk ka vlerësim zyrtar lidhur me numrin e saktë të shtetasve nga Maqedonia, me pjesëmarrjen konkrete në luftërat në Lindjen e Afërt dhe në Afrikën Veriore, dhe aktualisht, policia nuk dëshiron të ndajë informacione publike për këtë çështje.