Krenohet Vuçiqi: Kjo ishte gjëja më e vogël që Qeveria e Serbisë bëri për Trepçën

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se shtyrja e miratimit të Projektligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, është gjëja më e vogël që ka mundur të bëjë Qeveria e Serbisë, si përpjekje për të zgjidhur këtë problem.

Lajme

19/01/2015 13:38

Këtë deklaratë kryeministri serb e ka dhënë në Beograd, pas tërheqjes së Qeverisë së Kosovës që çoi në shtyrjen e miratimit të Projektligjit për ndërmarrjet shoqërore nga Kuvendi i Kosovës.   

 Vuçiqi u ka thënë gazetarëve se gjatë fundjavës autoritetet serbe kanë pasur bisedime intensive me përfaqësuesit ndërkombëtarë rreth Trepçës, dhe se, për këtë do të bisedojë sot edhe me autoritetet në Prishtinë, dhe bashkësinë serbe në Kosovë.

“Çështja e pronave në Kosovës deri tani ka qenë e mbyllur, kështu që Qeveria e Serbisë kërkon që kjo temë të hapet sa më parë, që të mos ndodhë të na marrin pasurinë brenda natës, e ne të mos dimë asgjë apo të bëhemi sikur nuk po shohim asgjë”, ka thënë kryeministri serb.

I pyetur të komentojë atë se cili do të jetë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Trepçës, kryeministri i Serbisë, ka thënë se “ajo do të jetë neutrale rreth këtij problemi”.