Krenarë me Diasporën

Petrit Selimi flet për Le Monde rreth aferës \"Leonarda\", e cila çoi në këmbë Parisin gjatë ditëve të fundit. Ai e analizon edhe diasporën kosovare dhe perspektivën e Kosovës për Schengen.

Lajme

18/10/2013 16:08

ZëvendësMinistri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, në vazhdën e debatit aktual në lidhje me dëbimin e një vajze kosovare nga Franca.

Selimi ka mbështetur gjeneratat e diasporës kosovare që japin kontribut të vlefshëm në Europë dhe ka theksuar se ato janë pasuri e vërtetë për tërë Europën.

Le Monde: A jeni tronditur nga mënyra e trajtimit të Leonardës, refugjatës së mitur kosovare në Francës, nga policia franceze?

Petrit Selimi: Ne nuk jemi në pozitë që të komentojmë mbi çështjet e brendshme të Francës. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë franceze. Kemi qenë shumë të qartë në mesazhet tona interne që kosovarëve nuk do t’u jepet azili dhe se ata nuk do të duhej të kërkojnë azil politik në vendet e Bashkimit Europian. Kosova tani është e lirë nga shtypja politike dhe ndërsa ajo mund të mos jetë shteti më i pasur, ajo është e aftë t’u sigurojë mbrojtje të plotë qytetarëve të saj.

Le Monde: Sa romë jetojnë në Kosovë dhe cila është politika e shtetit ndaj tyre?

Petrit Selimi: Sipas regjistrimit të popullsisë më 2011, janë më pak se 9,000 romë në Kosovë, por ka disa grupe etnike minoritare që mund ta quajnë veten si egjiptianë ose ashkali. Të gjithë këta së bashku përfaqësojnë rreth 50,000 banorë. Qeveria e Kosovës ka një politikë shumë progresive ndaj pakicave. Ne jemi vendi i vetëm në Europë që ka një garanci kushtetuese për ulëse parlamentare për minoritetin rom dhe politikanët romë e kanë po ashtu nga një ulëse në kabinetin qeveritar. Romët janë në po të njëjtën pozitë si shumë kosovarë të tjerë të cilët po kalojnë në vështirësi ekonomike për shkak të tranzicionit dhe paragjykimeve të vjetra, por në aspektin e të drejtave politike ata gëzojnë një shkallë të lartë të mbrojtjes kushtetuese nga diskriminimi.

Le Monde: A mund të na ofroni një përshkrim për kosovarët të cilët kanë migruar viteve të fundit për në BE? Sa prej tyre kanë migruar, cili është profile i tyre, cilat janë motivet e tyre, etj?

Petrit Selimi: Kosovarët dhe shqiptarët nga ish-Jugosllavia, sipas regjistrimit të popullsisë, tashmë jetojnë në një numër të madh në Europë. Ata lëvizën drejt BE-së në vale të njëpasnjëshme në dekadat e fundit, prandaj 25% e të gjithë kosovarëve tanimë janë pjesëtarë të brezit të dytë dhe të tretë të diasporës, dhe jetojnë kryesisht në Zvicër dhe Gjermani. Bie fjala, 5 nga 11 futbollistët e kombëtares së Zvicrës janë nga Kosova. Kuzhinieri më i mire në botë, René Rexhepi nga Danimarka, është gjithashtu me prejardhje shqiptare. Ne jemi krenarë për diasporën tonë me të cilën kemi marrëdhënie të mira. Kjo është edhe një arsye pse kosovarët janë të etur për të udhëtuar jashtë vendit. Aeroporti i Prishtinës është më i frekuentuari në të gjithë Ballkanin për kokë banori (1.5 milionë pasagjerë në vit dhe me një rritje të qëndrueshme – edhe pa liberalizimin e vizave).

Le Monde: Popullsia kosovare është më e reja në Europë (nëse nuk gabohem). Shifra e papunësimit është më e larta në Europë (në mes 40 dhe 50%). Cila është zgjidhja për t’i mbajtur ata në Kosovë?

Petrit Selimi: Sipas të dhënave të reja zyrtare të sapodala nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkallë e papunësisë në Kosovë është 31%. Kjo shifër është e lartë, por është një çështje që po trajtohet vazhdimisht. Shkalla e lartë e papunësisë vërehet veçanërisht te rinia dhe grate. Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritjen më të shpejtë në Ballkan në 5 vitet e fundit, andaj po hapen mundësi të reja, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë seç ishte pritej nga qytetarët.

Le Monde: Kur mund të pritet hyrja e Kosovës në zonën Shengen?

Petrit Selimi: Kosova do t’i bashkohet zonës Shengen pas plotësimit të të gjithë kritereve. Ne jemi më të vegjëlit në Ballkan, por të vetmit të cilëve nuk na është mundësuar të udhëtojmë lirshëm kudo, përveç në tre vendet tona fqinje. Një gjendje e tillë e izolimit total krijon presion shtesë nga të rinjtë dhe mund të jetë një burim shtesë i migrimit ilegal. Mungesa e mjeteve legale për të pare Europën ndërsa ne jetojmë në zemrën e saj i krijon u krijon hapësirë kriminelëve të organizuar të cilët përfitojnë nga njerëzit që duan të udhetojnë për në BE.