Kremlini do të shqyrtojë çdo kërkesë britanike mbi të dyshuarit për rastin Skripal

Kremlini tha se do të shqyrtojë çdo kërkesë të Britanisë për të marrë në pyetje dy persona të dyshuar për përpjekje për të vrarë një ish-spiun rus dhe vajzën e tij, në qytetin Sallsbëri të Anglisë.

Bota

14/09/2018 13:54

Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se deri më tash nuk është pranuar asnjë kërkesë.

Britania ka akuzuar dy shtetas rusë, Ruslan Boshirov dhe Aleksandr Petrov, për komplot për të vrarë ish-spiunin Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia, në muajin mars.

Autoritetet britanike i kanë akuzuar ata për hedhje të agjentit nervor Noviçok në derën e banesës së Skripalëve.

Peskov përsëriti të premtën se Kremlini e mohon çdo përfshirje të Rusisë në helmimin në fjalë.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi dy të dyshuarit u shfaqën në televizionin RT, kanal i financuar nga Kremlini, për të thënë se janë të pafajshëm.

Ata e mohuan se janë agjentë të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, të njohur si GRU, dhe thanë se kanë qenë turistë në Sallsbëri.