Krasniqi thotë se Haradinaj nuk mundi ta refuzonte pozitën e Kryeministrit
Ish kryeparlamentari, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar Nisma për Kosovën Jakup Krasniqi thotë se oferta që iu bë Ramush Haradinajt për Kryeministër nga shefi i PDK’së Kadri Veseli, nuk mund të refuzohej nga lideri i AAK’së.
Lajme
Kjo pasi siç bën të ditur ai, qëllimi të gjitha partive që garojnë në zgjedhje, është ardhja në qeverisje.
Në një intervistë për Gazetën Express, Krasniqi duke e komentuar koalicionin LDK-AKR-AL dhe akuzat që partia e Mustafës, shpesh ia ka bërë Pacollit, thotë se në politikë, kurrë nuk duhet thënë kurrë. Thekson se politikanët shqiptarë kanë nevojë për një kulturë ndryshe komunikimi.
Ndërkaq pret një qeverisje krejtësisht ndryshe nga mënyrat sesi është qeverisur deri më tani Kosova.
GazetaExpress: PDK-AAK-Nisma janë në një koalicion parazgjedhor, a mendoni se do të dilni fitues në zgjedhjet e 11 qershorit?
Krasniqi: Nëse kihet parasysh shtrirja e këtyre partive në territorin e Kosovës, numri i votave në zgjedhjet e kaluara, fitorja e këtij koalicioni del e pashmangshme.
GazetaExpress: Pse vendosët që të hyni në koalicion me PDK-në, të cilën AAK e Nisma e kanë kritikuar. Çfarë ishte vendimtare?
Krasniqi: Ne ishim në koalicion parazgjedhor me AAK, kur PDK-ja ia afroj postin e Kryeministrit Ramush Haradinajt, ky i fundit e pranoi ofertën e Kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Te gjitha partitë politike që garojnë në zgjedhje, qëllim e kanë ardhjen në qeverisje. Prandaj një ofertë e tillë edhe nuk mund të refuzohej nga kandidati i mundshëm për Kryeministër.
GazetaExpress: Shumëkush thotë se Qeveria e ardhshme do të ketë shumë vështirësi para saj, kur dihet që në agjendë është Gjykata Speciale dhe temat e mbetura demarkacioni e asociacioni. Çfarë prisni ju, si do të menaxhohen këto nëse koalicioni juaj do të udhëheq me Qeverinë?
Krasniqi: Kjo pyetje më mirë është t’i bëhet kandidatit për Kryeministër dhe Kryetarit të PDK-së.
GazetaExpress:Si e shihni Ramush Haradinajn, nëse ia del të bëhet Kryeministër, çfarë prisni nga ai?
Krasniqi: Presim që qeverisja në Kosovë ta merr një drejtim të ri dhe të ndryshojë rrënjësisht qeverisja në secilin aspekt. Gjithsesi pres një prerje rrënjësore nga mënyrat sesi është qeverisur deri më tani Kosova.
GazetaExpress: Si e komentoni bashkëpunimin LDK – AKR. Në të kaluarën Pacolli është akuzuar shpesh nga LDK?
Krasniqi: Në politikë, kurrë nuk duhet thënë kurrë. Është mirë që në politikën shqiptare fjalët të maten para se të thuhen. Politikanët shqiptarë kanë nevojë për një kulturë ndryshe komunikimi.
GazetaExpress: LDK po ju sulmon duke iu quajtur koalicioni i luftës. Çfarë përgjigje keni?
Krasniqi: Nuk ka më mirë se të marresh pjesë në luftën për liri. Turp është mos pasja gatishmëri për të luftuar për liri.