Krasniqi: Taksa nuk mund të jetë arsye për rrëzim të Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se, taksa ndaj Serbisë nuk mund të jetë arsye për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.

Lajme

28/02/2019 10:43

Pavarësisht përçarjeve të thella mes partnerëve të koalicionit qeverisës kryesisht për shkak të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare aktualisht duket si një “mision i pamundur” për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ajo është edhe partnerja më e madhe e koalicionit qeverisës dhe po kërkon të pezullohet taksa ndaj mallrave serbe, duke u thirrur në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), por që një kërkesë e tillë po refuzohet nga kryeministri Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar për “Zërin” se në asnjë formë taksa e vënë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nuk mund të jetë arsye për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.

“Asnjëherë çështja e taksës nuk mund të jetë shkas për rrëzimin e Qeverisë. Kjo temë as që mund të diskutohet. Ne jemi të gjithë unikë në qëndrimin tonë kundrejt Serbisë dhe politikës së tyre agresive ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke folur për taksën 100% ndaj produkteve serbe, ka thënë që kriza institucionale po shkon duke u thelluar, prandaj kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj duhet të japë dorëheqje.

“Angazhimi kundërkushtetues i presidentit për ta shtyrë përpara ‘korrigjimin e kufijve’, si dhe mospajtimet brenda ‘koalicionit të punëve të mëdha’ PAN-it rreth taksës dhe dialogut me Serbinë kanë bërë që të thellohet kriza institucionale. Si rezultat raportet e Kosovës me partnerët janë në pikën më të ulët historikisht. Zbatimi i MSA-së ka ngecur. Njohje të reja nuk ka, ndërkaq po rrezikohen njohjet ekzistuese. Në veri të vendit nuk ka pushtet lokal që është ligjor dhe efektiv”, ka thënë Hoti teksa ka numëruar ngecjet e proceseve të rëndësishme në vend.

Duke i pasur parasysh gjitha këto Hoti vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të domosdoshme.

“Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë më tutje. Përgjegjësinë për këtë degradim duhet ta marrë ai që po e quan veten shef të PAN-it, duke dhënë dorëheqje për të hapur mundësinë që qytetarët të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe t’i mandatojnë ata që duhet të udhëheqin Kosovën drejt integrimit euroatlantik”, ka thënë ndër të tjera Hoti.