Krasniqi takohet me kryetarët e degëve të PDK-së, flasin për zhvillimet e fundit në vend
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilat ka diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do ta ketë ai javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel. “E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në…

Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilat ka diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do ta ketë ai javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel.
“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në kohën që po ndodh sepse raportet tona me SHBA kanë rëndësi të veçantë. Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale”, ka thënë Kransiqi.
Komunikata e plotë:
Krasniqi takon kryetarët e Degëve të PDK-së, flasin për zhvillimet e fundit në vend
Prishtinë, 11 nëntor – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e Degëve të PDK-së, për të diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do të ketë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel si dhe për zgjedhjet në Rininë Demokratike të Kosovës.
Kryetarët e Degëve e kanë informuar kryetarin e PDK-së për procesin e filluar për zgjedhjet e Rinisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kanë theksuar se platforma e lansuar për regjistrimin e të rinjve për tu bërë pjesë e procesit zgjedhor rinia2022.org po tregohet shumë efikase, ku të rinjtë e të gjitha qyteteve të Kosovës do të trajtohen barabartë në garë.
Me këtë rast, kreu i PDK-së Memli Krasniqi tha se qëllimi i platformës rinia2022.org është për të siguruar hapësirën e nevojshme për të gjithë të rinjtë e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, nga ku pastaj do të mund të adresojnë dhe zbatojnë idetë e tyre.
Kryetari Krasniqi tha se PDK është e dëshmuar për hapësirën që u ka dhënë në vazhdimësi të rinjve duke theksuar se sot në qeverisjet lokale të udhëhequra nga PDK, shumica e drejtorive udhëhiqen nga të reja dhe të rinj të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë takim me kryetarët e Degëve, kryetari Krasniqi i ka informuar ata edhe për qëndrimet politike rreth zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka njoftuar ata edhe për vizitën zyrtare që do ta zhvillojë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel.
Kreu i PDK-së tha se gjatë qëndrimit në dy kryeqendrat botërore do të ketë takime me zyrtarë të niveleve të larta të diplomacisë dhe politikës amerikane e evropiane.
Kryetari Krasniqi tha se të hënën dhe të martën do të zhvillojë takime në Bruksel me një sërë euro-parlamentarësh, por po ashtu do të takojë edhe ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak.
Më pas, ai tha se do të vazhdojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për tri ditë rresht në Washington DC do të takojë përfaqësues në Kongres, në dy dhomat, Senat dhe Dhomën e Përfaqësueseve.
Po ashtu, kryetari Krasniqi tha se në Washington do të takohet edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa do të ketë takim edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në kohën që po ndodh sepse raportet tona me SHBA kanë rëndësi të veçantë. Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale. Unë atje do të shpreh qëndrimet e PDK-së sa i përket zhvillimeve aktuale politike në vend dhe rajonin tonë. Por pa dyshim se interesat dhe objektivat kryesore të Kosovës do të jenë si pikë kryesore e diskutimeve që ne do të kemi”, tha kryetari Krasniqi. /Lajmi.net/