Krasniqi: Për Tribunalin fajin e ka politika jonë, e jo UÇK-ja
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se nuk e ka fajin UÇK-ja që po kërkohet të themelohet një Gjykatë Speciale për të hetuar krimet e luftës në Kosovë.
Lajme
Në një intervistë për “Epoka e Re”, Krasniqi thotë se përgjegjësitë për gjendjen e krijuar janë partitë politike të cilat kanë qeverisur me vendin që nga paslufta.
Ai thotë se qëllimi fisnik i UÇK-së ka qenë çlirimi i vendit.
“Për këtë gjendje dikush është përgjegjës. Unë jam i bindur se UÇK-ja nuk e ka asnjë faj pse sot bisedohet dhe kërkohet gjykata speciale”.
“Përgjegjësia nuk është e luftës, përgjegjësia është e pasluftës”.
“E them me përgjegjësi, fajet e UÇK-së nuk mund të kërkohen pas 22 qershorit 1999, kur edhe është nënshkruar marrëveshja e demilitarizimit të UÇK-së. Sigurisht as nuk mund të mohoj e as të konfirmoj se individë me pedigre kriminale nuk e kanë shfrytëzuar firmën e UÇK-së, por e them me bindje se politika e UÇK-së ka pasur vetëm një qëllim fisnik: çlirimin e Kosovës”.
“Ndoshta do të ishte më mirë që pyetja të bëhej : Pse Kosova erdhi në këtë gjendje. për këtë përgjigje duhet ta kërkoni te ekzekutivi i Kosovës”.
“Faji është i politikës së Kosovës, sidomos i partive politike që kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve në qeverisjen e vendit dhe kanë udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë”, ka thënë Jakup Krasniqi për “Epoka e Re”.