Krasniqi për mungesën e Kurtit në Samit: Papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reagur në “Facebook”, sa i përket mospjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor, shkruan lajmi.net. Krasniqi bëri të ditur se me këtë samit Kosova është përfituese e madhe, dhe mungesa e kryeministrit Kurti në këtë samit ka ndikim të keq, pasi që BE-ja me…

Lajme

29/02/2024 13:22

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reagur në “Facebook”, sa i përket mospjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor, shkruan lajmi.net.

Krasniqi bëri të ditur se me këtë samit Kosova është përfituese e madhe, dhe mungesa e kryeministrit Kurti në këtë samit ka ndikim të keq, pasi që BE-ja me planin për periudhën 2024-2027 ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e ballkanit.

Ai këtë veprim të Kurtit e quajti papërgjegjësi. Ndër të tjera Krasniqi tha se me këtë qasje që ka bërë kryeministri, nuk do të ketë investime të reja, dhe as heqje të masave të vendosura nga BE-ja.

Reagimi i plotë:

Kryeministër, ku je?

Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar.

Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.

Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian.

Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen.

Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane.

Kryeministër, kthjellu! /Lajmi.net/