Krasniqi: Nikolic ishte pjesë e politikës së Miloshevic-it

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në një reagim të shkruar për gazetën gjermane “Die Presse”, lidhur me disa deklarata të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, pikërisht për këtë gazetë, ka thënë se Nikolic ishte pjesë e politikës së Miloshevic.

Lajme

10/04/2014 13:17

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë vitit 1998 kishte miratur disa rezoluta të cilat shprehnin brengosje për rrezikun e një katastrofe humanitare në Kosovë, për shkak të dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake të Jugosllavisë. Atëbotë, në vend të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, Serbia vazhdoi politikën luftënxitëse me qëllim të realizimit të projektit të vet gjenocidal. Pjesë e këtij projekti famëkeq ishte edhe presidenti i tashëm serb, Tomislav Nikoliq.

Ky ka qenë konstatimi i kryetarit të Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në një reagim të shkruar për gazetën gjermane “Die Presse”, lidhur me disa deklarata të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, pikërisht për këtë gazetë, raporton Telegrafi.

“Presidenti i Serbisë ka përsëritura me mijëra herë se shkatërrimet që regjimi i Beogradit bëri në Kosovë, ishin trilluar për të arsyetuar intervenimin ushtarak të NATO-s, se vrasja e civilëve shqiptarë në Reçak ishte sajuar për të bombarduar Serbinë. Ai ka shtuar se hendeqet e mbushura me kufoma të shqiptarëve u bënë në funksion të prezantimit të serbëve si të këqij, se intervenimi i shteteve evropiane dhe të SHBA-ve ishte bërë në kundërshtim me të Drejtën ndërkombëtare, si dhe se në gjykatën e Hagës të akuzuarit shqiptarë janë liruar me qëllim që serbët të mbeten fajtor të vetëm. Këto deklarata nuk mund të merren dryshe veçse tentim për të mbajtur gjallë gënjeshtrën e sajuar në Shtabin e Strategjik të Slobodan Milosheviçit”, ka vlerësuar Krasniqi.

“Vrasjet masive, masakrat e shumta, dhunimet, shkatërrimet, djegiet masive të vendbanimeve shqiptare dhe dëbimet nuk ishin trillime për të arsyetuar intervenimin ushtarak. Përkundrazi, ishin realiteti tragjik me të cilin ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës, të cilit i dha fund ndërhyrja ushtarake e Aleancës Veriatlantike”, ka sqaruar opinionin Jakup Krasniqi.

Ai ka shtuar se, as intervenimi i NATO-s, që u bë në funksion të ndërprerjes së katastrofës humanitare, e as shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk janë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

“Shteti i Serbisë dhe propaganduesit e mentalitetit të vjetër në këtë shtet e morën përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ajo që është skandaloze në intervistën e Presidentit serb, Tomisllav Nikoliqit, sipas kryekuvendarit Krasniqi, ka të bëjë me deklaratën e tij se “të gjitha krimet serbe të luftës që kanë ndodhur, nuk i afrohen asaj që kanë bërë shqiptarët kundër serbëve gjatë një dite të vetme në vitin 2004 në Kosovë”.

Në këtë kontekst, ai ka sqaruar se gjatë trazirave ndëretnike që shpërthyen spontanisht në muajin mars të vitit 2004, dhe që gjithsesi ishin më të rëndat dhe më tragjiket pas përfundimit të luftës në Kosovë, humbën jetën 19 persona.

“Nga ky numër, 11 të vrarë ishin të përkatësisë etnike shqiptare, ndërsa 8 ishin serbë. Krahas vrasjeve, në këto trazira pati edhe rreth 800 shtëpi të dëmtuara dhe 36 kisha ortodokse. Sado tragjike që ishin humbjet e jetëve, dëmtimi i pronës, i monumenteve kulturore dhe religjioze, të krahasohen me pasojat e dhunës institucionale të shtetit serb kundër shqiptarëve, është shembull se deri në cilën shkallë arrijnë përpjekjet e regjimeve të njëpasnjëshme të Beogradit për manipulimin e opinionit publik”, ka konstatuar Krasniqi.

Në kuadër të reagimit lidhur me një intervistë për të presidentit të ri serb, Tomislav Nikoliq, dhënë gazetës “Die Presse”, Jakup Krasniqi ka dhënë edhe disa të dhëna.

Sipas tij, gjatë luftës në Kosovë, ushtria dhe policia serbe vrau 13290 persona, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur.

“Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve, ndaj 20,400 grave u përdor dhuna seksuale. Sa u përket shkatërrimeve, gjatë periudhës 1998-1999, në Kosovë u rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve, 5 Kisha katolike, si dhe 88.101 shtëpi e objekte ndihmëse”, ka sqaruar për fund Jakup Krasniqi.