Krasniqi në fushatë, kundër PDK’së

Jakup Krasniqi del në fushatë në Drenas dhe kritikon ashpër PDK’në. Thotë se kjo parti kontrollon gjithçka, përfshirë mendimin e lirë.

Lajme

11/10/2013 17:51

Jakup Krasniqi është shfaqur të premten publikisht në mbështetje të Iniciativës Qytetare të Drenasit, me praninë e tij në fushatën e saj për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ish Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, në këtë tubim elektoral, ka kritikuar ashpër partinë pjesë e së cilës ishte prej pasluftës, duke thënë se njerëzit e saj kontrollojnë gjithçka dhe se ata e kanë kthyer mendimin e uniformuar.

“Këta njerëz i kanë shpërfillur të gjitha këshillat tona për ndryshime, për qeverisje të mirë, me njerëz të mirë, kanë shpërfillur dhe abuzuar pakufishmërisht me besimin dhe votën tuaj.”

“Këta njerëz, në vend që të sjellin mendimin e lirë, konkurrencën e ideve dhe të shprehjes së lirë, na kthyen mendimin e uniformuar për të menduar jo si qytetarë, e besa edhe të imponuar me frikë e kërcënim, duke u përpjekur të kontrollonin edhe mendimet në kokat tona”.

“Këta njerëz e kontrolluan edhe punësimin e një shërbyesi në shkollë, aeroport, në Komunë, Qeveri e kudo.”

“Por, këta, në prag të zgjedhjeve, janë jashtë çdo norme ligjore, i mashtrojnë njerëzit se po ua bëjë një vend pune për t’ua marrë votën e për t’i harruar më vonë siç kanë bërë edhe deri më tani.”

Jakup Krasniqi ka thënë më tutje se këto janë “mashtrime ordinere që u bëhen qytetarëve të Drenicës dhe të Kosovës.”

Ai ka pohuar se në gjashtë vjetët e fundit kanë qenë në pritje të një fillimi të PDK’së për të qeverisur më mirë dhe në shërbim të qytetarit.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

“Këta njerëz kanë qeverisur pa asnjë dashuri e respekt për njeriun tonë që ua ka dhënë mundësinë e qeverisjes për 6 vjet”.

“Zullumi që e kanë bërë këta njerëz dikur do t’i vijë fundi”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se “peri këputet prej së holli kurse zullumi prej së trashi”.

Kandidati i Iniciativës Qytetare për Drenasin, Izet Ibrahimi, ka thënë se ndjehet mirë të shpallë të hapur fushatën e Iniciativës Qytetare për Drenasin.

Ai ka thënë se ka ardhur koha për të promovuar mendimin e lirë.

“Jeni të bindur se ka ardhur koha për të promovuar mendimin e lirë, fjalën e lirë, lëvizjen e lirë dhe bashkimin si vlerë të pakontestuar.”

“Ka ardhur koha e rikthimit të demokracisë së ngulfatur. Ka ardhur koha e profesionistëve për të promovuar në një shtet, aftësitë, përvojat dhe energjitë e veta krijuese të një modeli të ri qeverisës. Këto ndryshime t’i bëjmë së bashku, ndryshimi fillon nga ne”.