Krasniqi, Mustafa e Haradinaj nderojnë dëshmorët

Në gjashtë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve dhe liderë politikë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Lajme

17/02/2014 14:06

Përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike, për nder të 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës sot kanë vizituar familjen Jashari në fshatin Prekaz.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai gjatë këtyre homazhe për gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se duhet që duhet vazhduar sakrificën e Familjes Jashari, për një ardhmëri dhe mirëqenie.

“Prekazi përmbledh gjithë sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Tashmë është obligim i të gjithëve që të punojmë për një ardhmëri dhe mirëqenie sa më të mirë të popullit dhe të Kosovës”.

Pas homazheve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bëri një vizitë të shkurtër në familjen Jashari.

Vizitë familjes Jashari i ka bërë edhe Lideri i LDK`së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se është detyra e jona që këtë vepër monumentale ta ndërtojmë edhe më shumë.

Mustafa ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ju uroj sot, një ditë të madhe, Ditën e Pavarësisë së Kosovës! Para gjashtë viteve institucionet tona shpallën pavarësinë e vendit’.

“Është detyrë e jonë, që këtë vepër monumentale të Presidentit Rugova, të Adem Jasharit e Zahir Pajazitit, të shumë patriotëve e liridashësve, ta ndërtojmë sipas vullnetit tuaj”, ka shkruar në Facebook Isa Mustafa.

Ndërsa, Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pas homazheve në Gllogjan është ndalur edhe në Prekaz ku pasi ka bërë nderime në Memorialin e Jasharajve ka qëndruar edhe në odën e familjes Jasharaj ku është pritur nga përfaqësuesi i kësaj familjeje Murat Jasharaj.

“Është nder dhe krenari që sot nderoj ata që sakrifikuan jetën për liri. Gjashtë vjet janë të mëdha, por do të vazhdojmë edhe më mirë”.

Përndryshe duhet theksuar që Haradinaj si edhe vitin e kaluar ka qëndruar në distancë nga ceremonitë shtetërore që janë mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Ai sot pas Gllogjanit e Prekazit ka bërë nderime edhe tek përmendorja e Heroit të Popullit Zahir Pajaziti si dhe varrit të Presidentit Rugova në Velani.