Krasniqi: Kujdes Drenicë e Kosovë se ku po e hidhni votën tuaj!

Jakup Krasniqi thotë se  vota e Drenicës dhe e çdo qytetari të Kosovës duhet të jetë për mendim të lirë, për fjalën e lirë, për të shprehurit e lirë e pa asnjë frikë, si ia thotë mendja e ia donë zemra e gjithë se cilit që do të kontribuojë me votën e tij në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Lajme

11/05/2014 10:56

Ish-Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, porosit qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes se për kënd do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi shprehet se as Drenica e as Kosova nuk duhet që me votën e tyre të vrajnë ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Sipas tij, qytetarët duhet të votojnë aty ku fle zemra e tyre, aty ku është liria, demokracia e sotmja dhe ardhmëria.

“Drenica si e gjithë Kosova e ka fituar të drejtën e fjalës dhe të votës së lirë!

“Vota edhe e Drenicës dhe e çdo qytetari të Kosovës duhet të jetë:
1. Për mendimin e lirë;
2. Për fjalën e lirë;
3. Për të shprehurit e lirë e pa asnjë frikë, si ia thotë mendja e ia do zemra e gjithë secilit që do të kontribuojë me votën e tij në ndërtimin e Shtetit të së drejtës.
Keto gjëra të shenjta që i kemi fituar me luftë e flijime të shumta, mos të pranojmë të na i rrëmbejë askush”.

“Këto janë shënjat më të dukshmet e më të parat e demokracisë. Kur mungojnë këto, liria e demokracia kanë pushuar se ekzistuari. Askush nuk duhet të lejojë që ta hupë atë që e kemi fituar me flijime të shumta njerëzore e materiale”.

“Qytetari ynë, i cilës do pjesë të Kosovēs, duhet t\’i thotë jo çdo forme të frikësimit, të shantazhit a çdo presioni tjetër. Këto metoda të punës janë ANTIDEMOKRATIKE, janë Antiliri, Antidrejtësi, Antizhvillim si dhe Antiintegrim në BE. Janë, anti, anti, anti ………”.

“Abraham Linkolni për votën thoshte: \”Në luftë me pushkë (armë) e vret armikun. Në demokraci me votën tende e vret ardhmërinë e fëmijëve tu\”.

Kujdes Drenicë e Kosovë se ku po e hidhni votën Tuaj! Kujdes!”.

“As Drenica e as Kosova nuk duhen që me votën e tyre ta vrajnë ardhmërinë e fëmijëve tanë – Shtetin e së Drejtës, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin e sigurisë për jetën, nderin e punën, për shtetin e zhvillimit ekonomik e të dinjitetit kombëtar e njerëzor”.

“Votoni për atë që ia keni besën! Aty ku ju flen zemra Ju! Aty është Liria, Demokracia e Sotmja dhe Ardhmëria!”.

“Mashtrimit të mashtruesve thonju mjaft, se tradhti mbi tradhtitë është grabitja e pasurisë kombëtare, marrëveshjet e dëmshme për vendin, rrënimi i Sistemit të Drejtësisë, qeverisja me të padijshëmit, me mashtruesit, me profiterët, matrapazet, me njerëzit e trafikuar si dhe me servilët e ligj që u vardisën pushtetarëve të ndryshëm. A nuk i kemi parë këta lloj njerëzish edhe para luftës çlirimtare?!”.