Krasniqi: Kosovës i duhet qeveri e përgjegjshme, e jo Task Forcë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të formojë asnjë Task Forcë, por ka nevojë për ekzekutiv të përgjegjshëm që dinë të qeverisë.

Lajme

25/12/2014 15:52

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka komentuar propozimin e ministrit për Integrime Europiane Bekim Çollaku, për formimin e një Task Force e cila do ta ndalonte migrimit e qytetarëve.

Ai në një shkrim autorial ka kujtuar formimin e Këshillit Kombëtar Antikorrupsion nga Presidentja Atifete  Jahjga, që sipas tij, nuk ka dhënë asnjë rezultat.

Krasniqi ka thënë se Kosova ka nevojë për qeverisje të përgjegjshme që drejtohet nga persona që dinë dhe ka vullnet të menaxhojnë me pasurinë publike, transmeton lajmi.net.

Krasniqi ka thënë se koalicioni PDK-LDK, ka rritur dëshpërimin e qytetarëve.

“Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për asnjë Task Forcë apo Këshill, qofshin ato të emërtuara edhe si ‘kombëtare’. Kosova ka nevojë për një Ekzekutiv të përgjegjshëm, i cili menaxhohet nga një njeri që ka dhënë dëshmi se di e do të menaxhojë me pasurinë publike e kombëtare, që formon një ekip njerëzish që vërtet do ta nxjerrin vendin nga ky mjerim social e keqqeverisje e vendit”.

“Natyrisht, e tëra mbi bazë të një Platforme, një Programi mirë të planifikuar. Duhet të thuhet shkurt e shqip: ky koalicion e ka shtuar skajshmërisht dëshpërimin e qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi.