Krasniqi kërkon përkrahje nga Qeveria dhe RTK për Sulejman Gashin

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shkruar në facebook se gazetari Sulejman Gashi, i cili është në gjendje koma, meriton mbështetje nga RTK-ja dhe Qeveria.

Lajme

14/06/2016 10:27

Krasniqi konsideron se familja e ka të vështirë të përballoj shpenzimet e mëdha, por edhe për kontributin e Gashit me lajme dhe raporte nga SHBA, ai meriton një përkujdesje tjetër nga institucionet.

“Televizioni publik dhe një mbështetje më të fuqishme nga AGPK-ja, pasi nevoja për mbështetje e solidaritet shoqëror e njerëzor, mund t’i duhet secilit nga ne, në secilën ditë të vitit! Do të ishte krejt e natyrshme që në një rast të tillë, të kontribuonte edhe Qeveria e Kosovës, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e ka pasur përkrahjen e tij të përkushtuar!”, ka shkruar Krasniqi. /lajmi.net

Postimi i plotë i tij:

SULEJMAN GASHI MERITON MBËSHTETJE NGA RTK-JA DHE QEVERIA

Sulejman Gashi, gazetari shumëvjeçar i RTK-së dhe raportuesi disavjeçar i saj nga Nju Jorku e Uashingtoni ka kohë që është në gjendje kome dhe zërin e tij nuk po e dëgjojmë në lajmet e mbrëmjes. Familja e ka të vështirë që t’i përballoj shpenzimet e mëdha dhe në një situatë të tillë, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij për lajmet dhe raportet e shumta që na i solli nga SHBA-të për Kosovën, për raportet që i dha nga Amerika për delegacionet e shumta qeveritare, meriton një përkujdesje tjetër nga këto institucione. Por përkujdesën kryesor e meriton nga

Televizioni publik dhe një mbështetje më të fuqishme nga AGPK-ja, pasi nevoja për mbështetje e solidaritet shoqëror e njerëzor, mund t’i duhet secilit nga ne, në secilën ditë të vitit!

Në gjendjen shëndetësore në të cilën gjendet punëtori shumëvjeçar i RTK-së, më se paku ajo që duhet ta bënë kjo e fundit do të duhej të ishte, hapja e një llogarie rrjedhëse humanitare për të ndihmuar Raportuesin nga SHBA-të, Sulejman Gashin. Nëse ketë nuk e bënë RTK-ja, atëherë, atëherë llogaria le ta hapë familja, ndërsa RTK-ja le ta bënte njoftimin e përditshëm me kërkesën për ndihmë solidare!

Do të ishte krejt e natyrshme që në një rast të tillë, të kontribuonte edhe Qeveria e Kosovës, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e ka pasur përkrahjen e tij të përkushtuar!

Le të shpresojmë që ndihma solidare e gazetarëve të RTK-së e AGPK-së, e qeverisë dhe e publikut tonë nuk do të mungoj! Ndërsa Sulejmanit i dëshirojmë përmirësim dhe kthim në jetë, në gjirin familjar dhe në punët e përditshme!

Solidariteti na duhet të gjithëve!