Krasniqi kërkon komision të ri për demarkacionin

Ish kryeparlamentari, njëherësh anëtar i Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi përmes një shkrimi autorial ka kërkuar edhe dorëheqjen e Komisionit për të rivlerësuar një proces të ri për demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

13/07/2016 19:52

Sipas tij, parametrat për shënjimin e kufirit me Malin e Zi janë qesharak dhe nuk janë të vlefshëm.

Sipas Krasniqit në dokumentet e prezantuara, janë disa ngjarje e data që asnjëherë nuk është dashur të përmenden e aq më pak të përdoren si parametra përcaktues në shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Në asnjë mënyrë e në asnjë formë nuk është dashur të përmendeshin: Marrëveshja e Kumanovës e 10 qershorit 1999, as hartat e NATO-s, as Bisedimet e Vjenës e Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari, as Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e Kushtetuta që e kemi në përdorim, nuk do të duhej fare që të përmendeshin si parametra për shënimin e kufirit në fjalë”, shkruan Krasniqi. Sipas tij, të gjitha këto data janë krejtësisht të panjohura.

Krasniqi ka shtuar se ka marrë pjesë në shumë procese të rëndësishme për vendin siç është edhe Rambuje, por se sipas tij asnjëherë nuk është diskutuar çështja e kufirit.

“Çka fshihet prapa tyre, nuk më është e njohur, ndonëse kam marrë pjesë në shumë procese e marrëveshje që nga Rambujeja. Madje kam marrë pjesë në shumë takime e bisedime, para dhe pas Pavarësisë së Kosovës (më 12 shkurt 2008), përfshirë edhe procesin e hartimit të Kushtetutës sonë, por në asnjë rast nuk është biseduar për kufirin”, shkruan tutje Krasniqi.