Krasniqi jep zgjidhje, referendum ose zgjedhje të lira

Ish kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke folur për zhvillimet e sotme në Kuvend, si zgjidhje për të dalë nga kjo situatë ka përmendur referendumin ose zgjedhjet e lira, përndryshe sipas tij, me këtë kaos e papërgjegjësi nuk ecet tutje.

Lajme

15/10/2015 14:39

Siç thotë ai, Qeveritarët duhet ta dinë se dhuna, arrestimet, dënimet, madje as vrasjet, nuk i nënshtrojnë ndjenjat e njerëzve për të drejta, liri e demokraci. Po të ishte kështu, thotë Krasniqi, Serbia me Millosheviqin do të sundonin në këto troje, raporton lajmi.net.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka vlerësuar se zgjatja e kësaj gjendje, nuk prodhon siguri e stabilitet dhe se përgjegjësia për të përmbyllur ketë gjendje kaotike, bie mbi koalicionin qeverisës.

Ky është postimi i plotë i Jakup Krasniqit në Facebook:

KUSH NUK MËSON PËSON

Një thënie goxha e njohur, me shumë përmbajtje, e përsëritur dhe e harruar shpesh, “Kush nuk mëson nga historia, ajo i përsëritet”, e ndoshta varianti më i shkurtër i saj është: “Kush nuk mëson pëson”.

Politikanet tanë si duket janë njohës të keq të historisë më të re ose janë harrestarë të mëdhenj, mbase ketë mund ta bëjnë edhe nga lakmia e cila ua ka rrëmbyer kujtesën. Thonë se lakmia të verbon, të verbon dhe nuk të len t’i shohësh gjërat në përmasat e tyre.

Qeveritarët tanë duhet ta dinë se: dhuna, arrestimet, dënimet, madje as vrasjet, nuk i nënshtrojnë ndjenjat e njerëzve për të drejta, liri e demokraci. Po të ishte kështu, Serbia me Millosheviqin do të sundonin në këto troje. Dhe nuk do të kishte as bisedime të Rambujesë, të Vjenës e as të Brukselit, ndonëse këto të fundit ishin krejt të përgatitura. Gjendja e krijuar pas marrëveshjes se 25/26 gushtit po e tregon më se miri.

Qeveritarët duhet ta kuptojnë një herë e mirë, se kemi një problem politik, i cili mund dhe duhet të zgjidhet me bisedime politike konstruktive, pa të cilat nuk ka zgjidhje. Zgjatja e kësaj gjendje, nuk prodhon siguri e stabilitet. Përgjegjësia për të përmbyllur ketë gjendje kaotike, bie mbi koalicionin qeverisës.

Kjo gjendje nuk zgjidhet me polici e arrestime. Zgjidhja është në bisedime dhe vullnet të mirë politik te dyanshëm, e sidomos me vullnetin politik te shumicës!

Zgjedhja duhet që t’ju lihet qytetarëve, në Referendum ose në Zgjedhje të lira! Përndryshe me ketë kaos e papërgjegjësi nuk ecet tutje!