Krasniqi i bën thirrje VV-së ta ndërroj emrin e propozuar: Rikandidimi i të njëjtës figurë përçarëse që ka dështuar dy herë ka për qëllim bllokimin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi që VV ka thënë se nuk i kanë numrat për ta votuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se propozimi i saj për herë të tretë ndonëse ka dështuar dy…

Lajme

21/04/2025 16:47

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi që VV ka thënë se nuk i kanë numrat për ta votuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se propozimi i saj për herë të tretë ndonëse ka dështuar dy herë, ka për qëllim bllokimin.

Ai ka thënë se moslejimi për të votuar sot, është shkelje e rregullores së Kuvendit, shkruan lajmi.net.

“Zgjidhja është e thjeshtë: Ndërrojeni kandidaten. Ndërrojeni qasjen. Ndërrojeni logjikën. Jo për ne. Për Kosovën.
Çdo ditë që kalon, përgjegjësia rritet. Emri i bllokadës është i njohur. Dhe koha nuk fal”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Lajmi.net/ 
Postimi i tij i plotë në Facebook:

Një tjetër situatë e paprecedentë, që nuk i ka hije një institucioni si Kuvendi i Kosovës.

Koalicioni VV-Guxo-Alternativa e ka humbur shumicën parlamentare, por po sillen sikur kanë fituar një të drejtë absolute, hyjnore, për të sunduar. Ata nuk po kërkojnë zgjidhje. Po kërkojnë nënshtrim.

Rikandidimi, për herë të tretë, i të njëjtës figurë përçarëse që ka dështuar dy herë, nuk është këmbëngulje. Është akt përçarës – me një qëllim të vetëm: bllokimin.

Madje, sot nuk u lejua as votimi, meqë në mënyrë arbitrare, kryesuesi i seancës e ndërpreu atë, duke e shkelur edhe Rregulloren e Kuvendit.

Koha nuk pret.

Sfidat janë reale.

Jetët e qytetarëve nuk mund të mbeten peng të një loje politike pa fund.

PDK-ja është e qartë:

Mjaft me vonesa.

Mjaft me teatrin e votimeve të dështuara.

Mjaft me arrogancën e pakicës që sillet si shumicë.

Zgjidhja është e thjeshtë:

Ndërrojeni kandidaten.

Ndërrojeni qasjen.

Ndërrojeni logjikën.

Jo për ne. Për Kosovën.

Çdo ditë që kalon, përgjegjësia rritet. Emri i bllokadës është i njohur. Dhe koha nuk fal.