Krasniqi fajëson liderët për zvarritjen e reformës

Jakup Krasniqi thotë se është herët të flitet për pozicionin që do ta ketë në zgjedhjet parlamentare. Ai ka kërkuar që këto zgjedhje të mbahen me reformë zgjedhore. Ka fajësuar liderët politikë për vonesën e përfundimit të kësaj reforme.

Lajme

21/01/2014 09:15

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se Kosova nuk është mirë të shkojë në zgjedhje pa e përfunduar reformën zgjedhore.

Në një bisedë për “Epokën e Re”, Krasniqi ka thënë se rregullsia e këtyre zgjedhjeve varet nga reforma zgjedhore dhe nga vullneti i partive politike që do të garantojnë në zgjedhje.

Ai ka thënë se për shkak të mospërfundimit të reformës është vështirë që zgjedhjet parlamentare të mbahen në qershor.

“Nuk prish punë që zgjedhjet të mbahen edhe në shtator”, ka thënë ai.

Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin e tij se liderët janë fajtorë për zvarritjen e reformës zgjedhore.

“Jam ithtar që zgjedhjet parlamentare të mbahen me reformë zgjedhore, e cila garanton zgjedhje të lira, të ndershme dhe avancon procesin zgjedhor në Kosovë. Në një masë rregullsia e këtyre zgjedhjeve varet edhe nga reforma zgjedhore”.

Kryeparlamentari ka thënë se është e vështirë që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor për shkak të mospërfundimit të reformës zgjedhore.

“Nëse nuk miratohet reforma zgjedhore, atëherë është vështirë që zgjedhjet parlamentare të mbahen në muajin qershor, për shkak se me ligj thuhet se gjashtë muaj pas miratimit të ligjit për zgjedhjet duhet të mbahen zgjedhjet”.

“Realisht nuk shoh që në këtë muaj dhe në muajin shkurt të miratohet ligji i ri për zgjedhjet në Republikën e Kosovës”.

Krasniqi ka thënë se tanimë jemi në një vit të rregullt zgjedhor dhe s’ka rëndësi a mbahen zgjedhjet në qershor ose në shtator. E rëndësishme, thotë ai, është që zgjedhjet parlamentare të mbahen sipas standardeve demokratike

“Kryesorja është zgjedhjet të jenë të rregullta dhe demokratike. Për këtë duhet të angazhohemi të gjithë sepse është në interes të së ardhmes së Kosovës”.

Sa i përket përfundimit të reformës zgjedhore, kryeparlamentari Krasniqi thotë se ajo mund të përfundojë në muajin shkurt të këtij viti, por vetëm me vullnetin e liderëve politik.

“Në rast se ekziston vullneti politik, reforma zgjedhore mund të kryhet deri në fund të muajit shkurt. I gjithë ky procesi varet shumë nga vullneti politik i partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës”.

Por, edhe pse kemi hyrë në vitin e katër të përpjekjeve për ta përfunduar reformën zgjedhore, ai thotë se nuk sheh të ketë vullnet politik për të bërë reformë e cila do të shtonte rregullsinë e zgjedhjeve. Sipas tij, liderët janë fajtorë për zvarritjen e këtij procesi.

“Realisht, nuk kam asnjë arsye dhe asnjë argument ta ndryshoj mendimin tim, për faktin se, sikur mos të ishte ndikimi i liderëve politikë, ish-Komisioni për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, i cili ka qenë caktuar për reformën zgjedhore, brenda gjashtë muajve do të duhej ta kryente punën”, ka thënë ai për “Epoka e Re”.