Krasniqi e quan zbulim epokal deklaratën e Mustafës për SHIK-un e Vetëvendosjes
Ish –kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa, se edhe Vetëvendosje ka një SHIK të vetin, e ka quajtur zbulim epokal.

Lajme
Krasniqi ka akuzuar Mustafën se ka shkelur fjalët e tij. Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se kryeministri ka harruar atë që thoshte se nuk do të bashkëqeverisë më PDK-në, pasi ajo ka kapur të gjitha segmentet e shtetit.
“Kryeministrit Mustafa, në çdo Mbledhje të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është duke dëshmuar se i mungon kultura dhe edukimi adekuat i komunikimit me deputetët e zgjedhur nga qytetarët e Kosovës”.
“Deri sot, gjithë shtyllat e programit të tij politik për qeverisje të mirë i kishte ngritur duke qenë kundërshtarë i fortë i partisë së Hashim Thaçit dhe ShIK-ut, ndërsa asnjëherë nuk e apostrofoi Sigurimin e Atdheut, të cilin anëtarët e partisë se tij e kishin proklamuar me bujë gjatë legjislaturës së dytë, atëherë kur ishin në koalicion me AAK-në”.
“Ai sot i harroi të gjitha ato që i kishte deklamuar gjatë më shumë se pesë vjetëve. Ai harroi edhe atë që e kishte thënë pak ditë para se ta lidhte martesën e qeverisjes më Thaçin, se ‘nuk mund të bëhej më PDK-në, e cila sipas tij i kishte kapur gjithë segmentet e shtetit”’.
“Ai tani i ka hangar të gjitha fjalët e veta të deridjeshme, tani ShIK-un e kërkon te VV-ja?! Ky është një zbulim i ri i Kryeministrit akademik?! Natyrisht ai nuk mund të jetë akademik pa një zbulim të tillë epokal, apo jo?!”
“Kryeministra të Qeverisë së Kosovës: Leni zbulimet epokale dhe parashikimet ogurzeza, merruni me qeverisjen e vendit! Kthejuni qytetarëve shpresën dhe besimin për një jetë të dinjitetshme në atdheun e tyre! Kjo është detyra e juaj”, ka shkruar Krasniqi.