Krasniqi e quan vendimin e Kushtetueses politik dhe të korruptuar
Ish – kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka dhënë sot mendimin e tij sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se vendimi i Kushtetueses është politik dhe i korruptuar.

Lajme
Ish – kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka dhënë sot mendimin e tij sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se vendimi i Kushtetueses është politik dhe i korruptuar.
Në një postim në profilin tij në Facebook, Krasniqi, i cili është edhe kryetar i këshillit të NISMA-s, shkruan se GJK-ja nuk meriton as respekt pasi, sipas tij, respekti fitohet nga vendimet e drejta, e këtë sipas Krasniqit nuk e ka bërë Gjykata.
“Në mediet tona sot u shkrua se Ernst Reichel, i deleguari gjerman për Ballkanin ka thënë se ky institucion i Kosovës (e ka fjalën për Gjykatën Kushtetuese, nënvizimi im- J.K) meriton respekt. Ndoshta duhet pajtuar, por vetëm atëherë kur vendimet e institucionit janë të drejta dhe në rolin e tyre kushtetues. Edhe në jetën politike dhe ekonomike, suksesi e respekti varen prej vendimeve të drejta, Vendimi në fjalë i GJK nuk e plotëson ketë kusht të domosdoshëm.
Në rastin tonë, zoti Ernst Reichel, respektin e kërkon për të vetmen arsye, se gjyqtari raportues na qenka jo shqiptar, ndonëse fillimisht raportues ishte caktuar një gjyqtar tjetër i cili në dy rastet e fundit e ka ndarë mendimin e tij. Ai sugjeron: Gjykata Kushtetuese meriton respekt edhe nga ata që mund të mos pajtohen me vendimin e saj. Meqë ra fjala, gjyqtari raportues ka qenë një portugez dhe jo PDK-ja, ka shkruar Reichel në llogarinë e tij në Facebook. Kjo do të thotë se nëse raportuesi do të ishte shqiptar, ky institucion nuk do të meritonte respekt! (siç!) Mendoj se, kushdo që të ketë qenë raportuesi, vendimi nuk meriton respekt.
Pse? Së pari, vendimi është politik, së dyti, është i korruptuar, së treti, është diktues me nota detyruese për deputetët. Këto fakte janë të mjaftueshme për të konfirmuar se vendimi nuk është aspak profesional, është antikushtetues”, shkruan Krasniqi i zhgënjyer me vendimin e Kushtueses.