Krasniqi: Do të ketë lajme të tjera të mira për sportin kosovar

Ish Ministri i Sportit, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se sporti kosovar do të marrë të tjera lajme të mira pas atyre që erdhën gjatë mandatit të tij, e që hynë në histori.

Sport

11/12/2014 17:01

Memli Krasniqi duket se ashtu siç e ka kaluar gjithë mandatin edhe ditën para se të votohej Qeveria e re në Kuvend, merrej me një çështje që ishte mision i tij, pranimi i Komitetit Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar me të drejta të plota. Krasniqi nuk ishte i sigurt se do t’ia arrinin kaq shpejt këtij qëllimi.

Gjatë një interviste për “Indeksonline”, ai thotë se ka shumë histori të pa treguara për lobimin që ai ka bërë që kjo të ndodhë. Impakti i kësaj njohjeje, që e quan gëzimin e tij më të madh për vendin pas lirisë dhe pavarësisë, thotë se do të jetë shumë frytdhënës. Ai duket se mbanë fshehtë disa lajme të mira për futbollin e basketbollin.

“Jemi afër finales”, thotë, teksa shton se për këtë do të gjejë kohë që të angazhohet edhe pse tani do të jetë ministër i Bujqësisë.

“Është mision nacional dhe i fundit për ndërkombëtarizimin e sportit tonë dhe duhet të gjithë të japim atë çfarë kemi mundësi”, shprehet ai.

Përfundimisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i hapi derën Kosovës dhe tashmë Kosova do të prezantohet Lojërat Olimpike. Çfarë do të thotë kjo për ty si ministër i sportit për katër vjet, si ishte ky rrugëtim?

Krasniqi: Po të me thoshte dikush në fillim të mandatit se do të arrijmë në këtë pikë gjatë kësaj periudhe do të isha skeptik. Situata kur kam ardhur në MKRS në këtë drejtim ka qenë thuaja në fazën fillestare. Unë ia pata vënë mision vetës që të paktën ta sjellë deri afër përfundimit këtë proces, por gjërat kanë shkuar më shpejt. Ani pse dikush do të thoshte janë shumë 4 vjet, por për neve kanë qenë të shpejta, sepse e dimë se ku kemi qenë dhe në çfarë rrethanash kemi punuar. Mund të them se janë me dhjetëra e dhjetëra takime, dhjetëra letra e dhjetëra aktivitete që shënojnë gjithë këtë punë, por pa dyshim, siç e kemi thënë, është suksesi i të gjithëve që janë angazhuar, edhe i Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës dhe sportistëve të tjerë që kanë krijuar rrethana të favorshme në qasjen tonë. S’dua të hyjë në detaje, por sinqerisht ka qenë një rrugëtim me shumë sfida, por falë një përkushtimi që kemi treguar ne si ekip në MKRS e veçanërisht Presidenti i KOK-ut, z. Besim Hasani, kjo u arrit. Për të qenë i sinqertë, me vjen keq që shpesh për shumë takime tonat të nivelit të lartë ndërkombëtar nuk kemi mundur të tregojmë, dhe ndoshta publiku e ka merituar të dijë, por këtë e kemi bërë për të mos dëmtuar procesin në cilin po ecnim sigurt. Unë, bashkë me Presidentin Hasani e dinim qysh në shtator se fundi i kësaj çështje i kishte ardhur, por natyrisht ne donim që gjithçka të shkonte sigurt dhe të mos ngjallim reagime që do të dëmtonin procesin. Jam shumë i lumtur që ky mision u përfundua me sukses. E konsideroj një nga ngjarjet më të rëndësishme për mua që prej lirisë dhe pavarësisë dhe besoj se vetëm anëtarësimi i Kosovës në OKB ka peshë më të madhe ndërkombëtare.

Çka do të thotë për sportistët kjo?

Krasniqi: Pranimi në KON është mbi çdo ëndërr tjetër për sportistët tanë olimpik. Sportistët me nuk kanë asnjë barrierë që i ndalë për në garat ndërkombëtare, duke filluar nga kryesoret, Lojërat Olimpike, Lojërat Evropiane, ato Mesdhetare dhe shumë gara të tjera të nivelit botëror. Do të shkojnë atje me flamurin e shtetit tonë, por padyshim se do të shkojnë me shumë vullnet për suksese, sepse ata kanë punuar gjatë gjithë kohës dhe kanë besuar në këtë qëllim. Natyrisht, shpesh mund të ketë qenë gjithmonë një brengë për ta. Është normale të zhgënjehesh në stërvitje teksa mendon se rrugën ndërkombëtare e ke të mbyllur. Por tash sportistët duhet ta shtojnë punën dhe seriozitetin. Ne do të jemi pranë tyre gjithmonë dhe mbi çdo rezultat, për ne është krenari paraqitja e tyre dinjitoze.

Si do të jetë viti 2015 për sportin, në kuptim të mbështetjes nga shteti?

Krasniqi: Tani s’dua të flasë në detaje sepse më nuk më takon të jap zotime për të ardhmen, por dua të përmend vetëm disa çështje që tashmë janë planifikuar. Ne e kemi rritur buxhetin përsëri. Për vitin 2015 kemi paraparë rritje të përkrahjes për federatat dhe për investimet kapitale. Me rëndësi është se Komiteti Olimpik i Kosovës do të ketë buxhet dinjitoz. Ne i kemi paraparë për ta së paku 150 mijë euro për vitin e ardhshëm dhe 300 mijë për vitin 2016, krahas sponsorizimeve tjera që mund të ketë vetë KOK. Tash është një etapë e re për secilin. Sportin e pret shumë punë në nivel të brendshëm. Mendoj se paraja në shumë raste nuk është gjithçka, është përgjegjësia ndaj profesionit, punës, si dhe qasja profesionale. Ne kemi investuar shumë në infrastrukturë në këto katër vjet dhe kemi paraparë projekte të reja, siç janë Pallati Olimpik, stadiumet ndihmëse, palestrat e reja sportive, pishina olimpike, terrene tenisi, poligone sportive shkollore, e shumë të tjera. Kjo do të përmirësojë edhe më shumë gjendjen në infrastrukturë.

Tash kanë mbetur si procese më të vështira basketbolli dhe futbolli, si sporte më masive, kur prisni që edhe këto të pranohen përfundimisht?

Krasniqi: Para disa javësh unë bashkë me kryetarin e FFK-së, emblemën e futbollit tonë, Fadil Vokrrin kam takuar presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter. Me duhet të rezervohem për temat që kemi biseduar, por ajo që mund të rikonfirmoj tani për tani janë dy gjëra. E para, Kosova ka krijuar shumë miq ndërkombëtar në sport në këto katër vjet dhe Sepp Blatter është një prej tyre. E dyta është se ne kemi pasur muajve të fundit takime intensive e biseda në forma të ndryshme më njerëz që kanë ndikim në futbollin botëror dhe në basketboll. Ata janë miq tanë dhe unë them se kemi arritur në momente finale dhe besoj shumë, duke pasur në mendje zhvillimet e fundit që lidhe me pranimin e KOK-ut në KON, që është krijuar një realitet i ri. Por, duke pasur parasysh edhe bisedat tona dhe koordinimin që e kemi me partnerët tanë, mund të them se për futbollin dhe basketbollin në vitin 2015 do të marrin lajme të rëndësishme. As tash nuk mund të flas me data, por ju siguroj se jemi afër.