Krasniqi: Deklaratat për çështjen e presidentit, kalkulime për të shmangur zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, i është përgjigjur spekulimeve rreth përfshirjes së PDK-së në qeveri.

Lajme

12/08/2020 20:55

Ai ka porositur koalicionin qeveritar që të flasin më pak e të punojnë më shumë.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, zyrtari i lartë i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm, tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato.

Ai ka thënë se kalkulimet dhe diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasur presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe shtatë muaj, është joetik, thënë më së but, ndërsa ka përsëritur se PDK nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi i saj më 6 tetor se do të jetë në opozitë.

Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre.

Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara.

Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar. /Lajmi.net/