Krahu i luftës kundër tribunalit?

Ish-përfaqësuesit e UÇK-së, të cilët janë deputetë në kuvendin e Kosovës, thonë se do të votojnë kundër tribunalit. Ata thonë se vota “pro” tribunalit është vetëvrasje për UÇK-në.

Lajme

17/04/2014 08:18

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë qenë përfaqësues të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deklarojnë se nuk do ta votojnë themelimin e një gjykate të veçantë apo tribunali për UÇK-në në Kuvendin e Kosovës.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ata thonë se kjo gjykatë është e panevojshme, denigruese dhe etiketuese për ish-guerilët e UÇK-së, prandaj si të tillë nuk do ta votojë madje edhe do të lobojnë që mos të kalojë në legjislativin kosovar.

Edhe pse disa nga ish-protagonistët e luftës konsiderojnë se kjo gjykatë është çështje e kryer për shkak të ndikimin ndërkombëtar, pra janë të një mendimi që mos ta votojnë në Kuvendin e Kosovës, sepse iu duket si “vetëvrasje e UÇK-së”.

Ish pjesëtari i UÇK-së, deputeti Fadil Demaku, i cili vjen nga partia në pushtet, thotë se vota e tij do të jetë kundër kësaj gjykate të veçantë, e cila bazën e ka tek pretendimet e raportit të Dick Martyt, pavarësisht qëndrimit të grupit të tij parlamentar të PDK-së.

“Nuk mundem në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim që të votoj kundër vlerave të UÇK-së për t’u bërë pjesë e lojërave momentale politike”

“Besoj fuqishëm në luftën e drejtë të UÇK-së dhe e shoh të panevojshme krijimin e këtij tribunali për luftën e Kosovës, pasi që dihet se shteti serb është ai që ka bërë krime në Kosovë”, ka thënë Demaku në “Zëri”.