KQZ: Zgjedhjet mision i vështirë, por jo i pamundur

Përsëritja e zgjedhjeve të përgjithshme mund të jetë një sfidë për KQZ-në, e cila mund të tejkalohet, thotë Valmir Elezi.

Lajme

06/09/2014 10:55

Bllokada politike e krijuar nga pamundësia e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit, ka shtruar mundësinë e mbajtjes së edhe një palë zgjedhjeve.

KQZ është e gatshme t’i organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në vjeshtën e këtij viti, nëse liderët e partive politike dështojnë t’i krijojnë institucionet e reja, Kuvendin dhe Qeverinë.

Kështu deklaruan për “Zërin” përfaqësuesit e KQZ-së, sipas të cilëve, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është sfiduese, por jo e parealizueshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pranon se organizimi i dy palë zgjedhjeve brenda një kohe të shkurtër është sfidues për këtë institucion, por sipas tij, KQZ-ja është në gjendje të tejkalojë sfida të tilla.

“KQZ-ja si institucion është i obliguar që të organizojë zgjedhje kurdo që ato shpallen për t’u mbajtur. Natyrisht se organizimi i edhe një procesi tjetër zgjedhor, brenda pak muajve është sfidues. Por, KQZ është e gatshme dhe mbetët e përkushtuar në kryerjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore”, thotë Elezi. /Zëri/