KQZ vendos kufizimin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të kufizohen shpenzimet për fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit dhe ato të jenë 0.5 euro për një votues. 

 

Lajme

12/05/2014 21:20

Në kumtesën për medie të KQZ-së thuhet se ky organ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2014. Neni 3.1 i Rregullores Zgjedhore nr. 12/2013 “Kufizimi i shpenzimeve të fushatës dhe deklarimi  financiar” parasheh që kufizimi i shpenzimeve të fushatës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Numri i votuesve, sipas listës preliminare të regjistrit civil, është 1,786,927 (një milion e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë) votues të regjistruar.

Në mbledhjen e së hënës KQZ mori vendim për regjistrimin e partisë politike Republikanët e Kosovës (REK) dhe regjistrimin e partisë politike Jedinsvena Goranska Partija (JGP).

KQZ miratoi Doracakun e Trajnimit për Këshillat e Vendvotimit për zgjedhjet e ardhshme, si dhe miratoi zëvendësimin e gjashtë (6) anëtarëve të kuvendeve të ndryshme komunale nga subjekte të ndryshme politike.

KQZ-ja shqyrtoi edhe bashkëpunimin me misionin e OSBE-së për zgjedhjet 2014. Gjatë diskutimit u theksua se KQZ do të organizojë këto zgjedhje në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe se është shënuar përparim i madh nga zgjedhjet e fundit lokale. Prandaj, duke u bazuar tashmë edhe në përvojën e krijuar në zgjedhjet e kaluara lokale, KQZ vlerësoi se përkrahja teknike e Misionit të OSBE-së për KQZ-në në katër komunat në veri të vendit është e nevojshme vetëm në disa fusha, të cilat kanë të bëjnë me aspekte teknike.