KQZ: Nesër fillon numërimi i fletëvotimeve nga diaspora për balotazhin
Gjatë ditës së nesërme, e shtunë, nga ora 10:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve të diasporës. Lajmi është dhënë nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Ju njoftoj se të shtunën (15 nëntor 2025, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga…
Lajme
Gjatë ditës së nesërme, e shtunë, nga ora 10:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve të diasporës.
Lajmi është dhënë nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se të shtunën (15 nëntor 2025, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave”, tha Elezi.
Ndërkaq, sipas të dhënave të KQZ-së, deri në pasditen e së premtes më shumë 12 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
“Deri pasditen e së premtes, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellur në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 12,000 prej të cilave janë aprovuar më shumë se 8,930, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,080. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,000 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi
Sipas tij, më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në 18 komunat ku u mbajt raundi i dytë ishte 29,725 votues./Lajmi.net/