KQZ konfirmon vendimin e Gjykatës Supreme për 10 qendrat e reja të votimit jashtë përfaqësive diplomatike

KQZ ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili konfirmon vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me 10 qendrat e votimit që do të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për Lajmi.net se…

Lajme

09/12/2025 13:23

KQZ ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili konfirmon vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me 10 qendrat e votimit që do të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur për Lajmi.net se Komisioni do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve, duke siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit konfirmohet vendimi i PZAP-it për çështjen e 10 Qendrave të Votimit të planifikuara nga KQZ që të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike sipas propozimit të MPJD-së. KQZ do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha ai.

Më 26 nëntor 2025, KQZ kishte marrë vendim për miratimin e 50 Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete për të mundësuar votimin e 63 mijë votuesve dhe 10 Qendra të Votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të MPJD-së. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin për të votuar 41 mijë.

Në media është raportuar se shumica e këtyre qendrave do të vendoseshin në ambiente private, përfshirë restorante, lokale dhe hapësira të tjera, të cilat nuk janë të përshtatshme dhe larg standardeve shtetërore.

Ndaj pjesës së dytë të vendimit, LDK ishte ankuar në PZAP, pasi që Ligji për Zgjedhje të Përgjthshme parasheh që votimi fizik jashtë vendit të organizohet vetëm në përfaqësi diplomatike dhe jo në hapësira tjera jo-shtetërore. Ky institucion kishte mbështetur ankesën e LDK-së. Kundër vendimit të PZAP-it, Vetëvendosje kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, por kjo e fundit i ka dhënë të drejtë PZAP-it dhe rrjedhimisht LDK-së.

Të hënën pasdite, Gjykata Supreme ka nxjerrë Aktgjykimin, përmes së cilit mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”./Lajmi.net/