KQZ i jep leje OSBE’së për Veriun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranon rolin lehtësues të OSBE’së për zgjedhjet e 3 nëntorit, në katër komunat veriore të Kosovës, të dominuara nga serbët. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje del kundër marrëveshjes .

Lajme

26/09/2013 10:27

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e  mbajtur sot, ka miratuar një letër-kërkesë të OSBE’së për arritjen e një marrëveshjeje, sipas të cilës kjo organizatë do të ketë rolin e lehtësuesit në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në katër komunat veriore të Kosovës.

Anëtarët e KQZ’së u pajtuan që kjo draft-marrëveshje të miratohet me disa ndryshime, sidomos për pikën e cila ka të bëjë me ‘sjelljen e të dhënave relevante me qëllim të pasurit një liste të votuesve të saktë dhe të plotë për katër komunat veriore në Kosovë’. Kjo pasi që të dhënat që dalin nga ekstrakti civil do të mirren nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo nuk ka të bëjë fare me KQZ’në.

Kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka sqaroi se kjo letër për arritjen e kësaj marrëveshje është dërguar nga ambasadori i OSBE’së në Kosovë dhe ka të bëjë me rolin lehtësues të OSBE’së në zgjedhje.

“Konsideroj që duhet ta bëjmë këtë letër këmbim me misionin e OSBE’së në Kosovë, natyrisht me përmirësime. Letra jonë që do tu dërgohet, do t’i  ketë simbolet tona dhe elementet e shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Antari i KQZ’së nga radhët e LDK’së, Florian Dushi u shpreh se e mirëpret një marrëveshje të tillë.

“Konsideroj që kjo draft-marrëveshje është brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese dhe është në fakt një ndihmë e mirë për KQZ’në dhe se KQZ duhet t’i përgjigjet pozitivisht këtij misioni dhe të fillojë bashkëpunimin me OSBE’në dhe që do të këtë bazën në një dokument”.

Betim Gjoshi, Anëtar i KQZ-së nga PDK, gjithashtu,  mbështeti arritjen e marrëveshjes.

“Është dashur që me OSBE’në të kemi marrëveshje shumë më herët. Sa i përket pikës për sjelljen e të dhënave për listën e votuesve, duhet të kemi kujdes në përgjigjen që do t’ju japim. Duhet të sqarojmë që ne i marrim të dhënat nga ekstrakti civil i regjistrimit civil.”

Por përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi reagoi fort kundër kësaj kërkese. Ai edhe votoi kundër saj.

“Unë kam shumë vërejtje për këtë draft, lidhur me përmbajtjen e tij. Ajo që duhet të shqyrtohet është që përgjegjësitë tani jani përmbushur. Konsideroj të pakuptimtë që sot të aprovojmë një draft marrëveshje për gjërat që janë tejkaluar tashmë. Kurse, aktivitetet e ardhshme nuk i kanë caktuar në mënyrë të përshkruar, por vetëm e kanë lënë të hapur angazhimin dhe në fusha të tjera”.