KQZ aprovon 6593 aplikacione serbe

Nga 39 mijë e 46 aplikacione të pretendentëve serbë për të votuar në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka aprovuar 6593 aplikacione, përderisa ka refuzuar mbi 32 mijë sosh.

Lajme

30/09/2013 09:29

 

Kështu bëhet e ditur në një raport të KQZ’së, të datës 27 shtator 2013, të cilin e ka siguruar gazeta ‘Zëri’, ku shihet se numri më i madh i aplikacioneve të refuzuara është në Komunën e Prishtinës, përkatësisht 4819 aplikacione, 3294 në Pejë, 2970 në Gjilan, 2676 në Prizren dhe vetëm 2 aplikacione të refuzuara për Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Përndryshe, KQZ ka kërkuar që të aprovohen të gjithë ata aplikues që kanë pasur kartela të refugjatit, edhe pse, sipas ligjit, kartela e refugjatit si e vetme nuk mjafton që një person të ketë të drejtë për t’u regjistruar si votues.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka,  ka thënë se procesi i verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia, nuk është ndërprerë nga Misioni i OSBE’së. Sipas saj, verifikimi ka përfunduar dhe se janë në proces të përpilimit të raportit të tyre dhe se nuk ka asgjë tjetër në këtë mes.

Daka ka thënë se monitoruesit e Bashkimit Evropian vetëm kanë qëndruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Ne e kemi nënshkruar një marrëveshje për monitorim të punës ata vetëm kanë monitoruar”.

Anëtari i KQZ’së nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Adnan Rrustemi, ka pohuar, nd[rkaq se një ditë më herët OSBE’ja dhe EULEX’i kanë marrë në duar procesin e verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia.

“Kjo është ndërhyrje e rëndë në integritetin dhe pavarësinë e KQZ-së, si dhe është një poshtërim për sekretariatin e KQZ-së dhe profesionalizmin e tyre”.