KPK miraton politikat e trajnimeve për prokurorë dhe stafin administrativ për vitin 2020

Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi sot në takimin e tij të rregullt politikat e trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial për vitin 2020, të cilat do ta përshtaten me Planin e punës së Akademisë së Drejtësisë dhe bazohen në kompetencat ndërsektoriale, si dhe janë harmonizuar me dokumentet strategjike, duke i kushtuar vëmendje të veçantë metodologjisë së luftimit të krimit financiar, korrupsionit dhe krimeve të luftës.

Lajme

22/10/2019 16:21

Gjatë këtij takimi të udhëhequr nga Kryesuesi Bahri Hyseni, pas hedhjes së shortit, Këshilli Prokurorial ka miratuar po ashtu formimin e dy paneleve hetimore për shqyrtimin e rasteve disiplinore në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Nga ana tjetër, në kuadër të raportimeve të rregullta të kryesuesve të komisioneve të përhershme për aktivitetet e tyre për nëntëmujorin e këtij viti, Këshillit i raportuan Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, Kryesuesja e Komisionit për Vlerësimin e Prokurorëve, Ikramije Bojaxhiu, Kryesuesja e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, Dëshirë Jusaj dhe Kryesuesja e Komisionit për Administrimin e Prokurorive, Radica Miliq.

Rrjedhimisht në fund të takimit është miratuar edhe Raporti i Komisionit për Vlerësim të performancës së prokurorëve.