Kosumi i rikthehet politikës, në AKR

Ish-kryeministri Bajram Kosumi ka vendosur të aderoj në Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit. Ai do të jetë në listën e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. 

Lajme

12/05/2014 10:15

Kosumi, është një profil politikani në Kosovë që mbahet mend që nga demonstratat e vitit 1981. Angazhimet e tij në partitë politike mbahen mend nga Partia Parlamentare e deri tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe mandati i tij si kryeministër i Kosovës.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, Kosumi do të jetë në listën garuese të Aleancës Kosova e Re (AKR). Në intervistën për Tribuna, Kosumi sqaron arsyet e aderimit të tij në AKR-në e Behgjet Pacollit.

“Do të rikthehem në politikë. Fillimisht pata menduar se me krijimin e shtetit të Kosovës janë përmbushur edhe idealet e mia politike kombëtare, prandaj jam larguar nga politika aktive në vitin 2010. Iu ktheva idealit tim jetësor; shkencës, edukimit dhe shkrimit. Por duke parë proceset politike në këto vjetët e fundit, përfundimisht jam bindur se duhet dhe se kam potencial t’i kontribuoj procesit politik dhe vendit tim me rikthimin tim në politikë”.

“Pastaj kam kërkuar strukturën se ku mund ta jap këtë kontribut. Shpresoj se kjo strukturë do të jetë AKR. Partia dhe presidenti i saj ka kërkuar ndihmën time për procesin dhe unë jam i gatshëm ta bëjë këtë: ta ndihmoj shoqërinë në realizimin e synimeve tona dhe ta ndihmoj në këtë proces edhe AKR-në”.