Kostiq: Nuk jam deputet i Serbisë, vendimi i KQZ-së politik

Fituesi i zgjedhjeve për kryetar të Graçanicës, Vlladeta Kostiq, e ka quajtur vendim politik mos certifikimin e tij nga KQZ. Ai ka thënë se ka hequr dorë nga posti i deputeti të Serbisë dhe këtë është i gatshëm ta dëshmojë.

Lajme

22/01/2015 15:59

Vlladeta Kostiq i cili ka fituar zgjedhjet për kryetar të Graçanicës, ende nuk ka arritur që të certifikohet në pozitën e të parit të kësaj komune.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ),  kërkon nga Kostiq që ta heq emrin e tij nga pozita e deputetit në ueb-faqen e Parlementit të Serbisë, për t’ia mundësuar më pas certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Graçanicë.

Por, Kostiq e ka mohuar një gjë të tillë, duk thënë se vendimin për dorëheqje e ka dërguar në KQZ  dhe se është i gatshëm ta bëjë edhe publik.

Ai, për Radio Dukagjinin vendimin e KQZ-së e ka quajtur politik.

 “Këtë dorëheqje të vërtetuar në Gjykatën e Beogradit dhe regjistruar në Kuvendin e Serbisë ia kam dorëzuar Komisionit Qendror zgjedhor dhe ekziston atje. Unë jam i gatëm që këtë dorëheqje, me datë 26 dhjetor, t’ia ofroj të gjitha mediave”.

“Arsye pse sot nuk është certifikuar rezultati nga KQZ-ja, sipas mendimit tim, është e pastër politike. Dikush është thirrur në atë se në faqen e Kuvendit të Republikës së Serbisë gjenden emri, mbiemri dhe fotografia ime. Unë duhet t’u sqaroj. Mirëmbajtja e faqes në Kuvendin e Serbisë bëhet në bazë të vendimit të Këshillit administrativ”.

“Nesër, gjatë ditës Këshilli administrativ i Kuvendit të Republikës së Serbisë do të takohet dhe merr vendim që emri dhe fotografia ime të hiqen nga faqja. Mendoj se atëherë, pjesa politike e KQZ-së nuk do të ketë absolutisht asnjë arsye që të kërkoj ‘qime në ve’, meqë për tërë opinionin kosovar është e njohur se kur bëhet fjalë për mua, atëherë Komisioni, në fakt pjesa politike e KQZ-së merr, më së paku thënë, vendime të çuditshme, që nuk janë në përputhje as me rregullat zgjedhore,por as me Ligjet për zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme”, ka thënë Kostiq.