Kosta Rika ia terron Uruguait

Kosta Rika shkaktoi befasinë më të madhe deri më tani gjatë këtij Kampionati botëror duke mposhtur Uruguaian me rezultat 3:1, në ballafaqimin e tyre të parë në Grupin D.

Sport

14/06/2014 23:58

Uruguai konsiderohej si favorit absolut, por e pësoi keq nga Kosta Rika që i mposhti me rezultat 3:1 në duelin e tyre të parë në kuadër të Grupit D në Kampionatin botëror.

Edhe pse skuadra e selektorit Oscar Tabarez pritej të shënonte fitore pa shumë telashe, dueli solli një epilog të papritur dhe fitore të merituar të skuadrës të cilës pak kush i besonte se mund të bëjë diqka. Edinson Cavani e kaloi Uruguain në epërsi kur shënoi nga penalltia në minutën e 24-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Por, Kosta Rika u ringjall pas intervalit duke e dominuar lojën dhe barazoi rezultatin në minutën e 54-të nëpërmjet Joel Campbell.

Vetëm tre minuta më vonë, Oscar Duarte realizoi me kokë duke e përmbysur rezultatin në favor të skuadrës së tij. Ndërsa, goditjen përfundimtare Uruguait ia dha Marco Urena në minutën e 84-të, menjëherë pas inkuadrimit të tij në lojë.

Dueli përfundoi edhe më keq për Uruguain për faktin se në minutat shtesë Maxi Pereira u përjashtua me karton të kuq.