Kosovës nuk i pengon gruri serb që po hyn nga Maqedonia, ekspertët e cilësojnë kontrabandë

Taksa që ka vendosur Qeveria e Kosovës ka bërë që Serbia të mundohet të gjejë rrugë dytësore për të plasuar produktet e saja apo edhe lëndën e parë në Kosovë.

Lajme

02/03/2019 20:10

Mbrëmë në Televizionin Publik është transmetuar një hulumtim i dokumentuar nëpërmjet xhirimeve se si tonelata të grurit serb janë zbrazut në Maqedoni.

Sipas të dhënave nga Doganat e Kosovës, importi i përgjithshëm i mallrave nga Maqedonia është rritur për diku 40 për qind, e në këtë rritje sigurisht po përfshihet edhe importi i grurit dhe i miellit, shkruan lajmi.net.

Serbia edhe pas vendosjes së taksës, ka gjetur mënyra dhe forma të tjera të futjes së produkteve në tregun e Kosovës.

Ani pse këto produkte nuk vijnë direkt nga Serbia në Kosovë, po futen nga vendet e tjera, e kjo gjë nuk po i pengon aspak Qeverisë së Kosovës.

Gruri serb, po futet si lëndë e parë në Maqedoni ku po përpunohet dhe në Kosovë po futet si produkt maqedonas, shkruan lajmi.net.

Kjo, duke u bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, gruri serb i bluar në Maqedoni vjen në Kosovë si miell “Made in Macedonia”.

Lajmi.net ka kontaktuar me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të cilët janë shprehur se është në kompetencën e doganave të trajtoj rastet e tilla.

E në anën tjetër, zëdhënësi i doganave Adriatik Stavileci për lajmi.net është shprehur se gruri shkon në Maqedoni, aty përpunohet dhe vjen në Kosovë me prejardhje maqedonase.

“Kjo do të thotë se përpunimi i grurit serb në Maqedoni, bluarja e tij, ia jep prejardhjen maqedonase”, tha Stavileci për lajmi.net.

Stavileci gjithashtu ka theksuar se janë dakorduar me doganën e Maqedonisë që të ketë bashkëpunim maksimal që të mos ndodhin raste të kontrabandimit të mallrave serbe nëpërmjet këtij shteti.

Stavileci po ashtu ka treguar se prej nga vjen gruri në Kosovë pas vendosjes së taksës për shtetin serb.

“Tek ne, importohet gruri shumë, por tani po vjen nga Rusia, Franca dhe shtete tjera, sepse gruri është produkt që blihet në BERZA, ka një çmim fiks dhe shitet me tonelata”, ka shpjeguar Stavileci.

E në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu është shprehur se po ndodh ajo që është paralajmëruar nga ekspertët e ekonomisë.

“Është më se e vërtetë që ne kemi paralajmëruar që kjo masë prej 100 për qind ka qenë më tepër masë politike, një vendim që ka ngjallur më tepër populizëm sesa efekte ekonomike dhe në këtë drejtim ne e kemi paralajmëruar se një ndër hapat që do të evoluoj më së shumti do të jetë kontrabanda”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Gërxhaliu gjithashtu është shprehur se Kosova ka pikë të dobët sundimin e ligjit nga edhe gjeneron kontrabanda, duke marrë parasysh këtu që Kosova nuk e kontrollon një pjesë të territorit, atëherë tregtia është si uji dhe i gjen kanalet e veta.

“Pika më e dobët e Kosovës është sundimi i  rendit dhe ligjit nga të cila gjeneron korrupsioni dhe kontrabanda dhe Kosova përkundër asaj që mendon se është si tërësi nuk e ka një pjesë të territorit nën kontroll dhe kur mendon se tregtia është si uji dhe i gjen kanalet e veta, atëherë në të vërtetë sot Kosovën shumë më tepër e godet kontrabanda dhe ekonomia informale”, është shprehur Gëxhaliu më tutje për lajmi.net.

Gërxhaliu për lajmi.net tha se është e dukshme që taksa nuk është e analizuar mirë as nga divizioni ekonomik, as nga ai politik e as integrues.

Sipas tij, nëse taksa do të kishte efekt atëherë do të rritej eksporti dhe do të ulej importi. Gjithashtu ka dhënë argumentin e tij se në Kosovë nuk mungojnë aspak mallra serbe.

“Dhe më tej në këtë drejtim po të ishin efektet e dëshirueshme të kësaj takse dhe të ishte taksa vërtetë e analizuar mirë edhe nga divizioni ekonomik, edhe politik edhe integrues atëherë efektet do të ishin tjera. Do të kishte rritje të eksporteve dhe ulje të importit por kjo nuk po ndodh, dhe nëse taksa 100 për qind është për mallrat nga Serbia dhe nga Bosnja, atëherë lind pyetja pse nuk janë këto çmime dyfish më të larta por janë të lira dhe e treta në qoftë se ekzistojnë këto markete si sot si para 3 muajsh, atëherë kjo do të thotë se mallrat serbe nuk mungojnë”, tha Gërxhaliu.

Në fund, Gërxhaliu ka theksuar se nëse taksa është dashur të arrij diçka është efekti psikologjik dhe vetëdija qytetare, e gjithashtu ka dhënë një mesazh për hir të opinionit sa i përket taksës.

“Dhe ajo që kemi paralajmëruar si analistë dhe ekspertë vërtetë po realizohet dhe në qoftë se është dashur të arrihet diçka nga kjo taksë është efekti psikologjik dhe vetëdija qytetare. Dhe një mesazh për fund për hir të opinionit dhe dua të besoj që do të jetë një titull në media, le të hiqet taksa nga institucionet dhe taksën ta mbajnë qytetarët. Në këtë drejtim Kosova do të marrë frymë më lirshëm dhe nuk do të armiqësohet me të gjithë dhe sidomos nuk do të dëmtoj partneritetin me SHBA-të dhe vendet evropiane që janë sponsor të pavarësisë dhe ndërtimit të Kosovës si shtet”, tha Gërxhaliu për lajmi.net krejt në fund.

Vlen të theksohet se në marketet në Kosovë ani pse kanë kaluar 3 muaj nga vendosja e taksës nuk vërehet mungesa e mallrave serbe.

Gjithashtu, ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq para disa ditësh ka deklaruar se malli serb në Kosovë po futet nëpërmjet kontrabandës gjë që është mohuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës. /Nehat Sadiku/ /Lajmi.net/