Kosovës do t’i shtohen edhe 450 policë, shumica e tyre të angazhuar në luftën kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj është takuar me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, të Asociacionit të Komunave të Kosovës, inspektoratet qendrore dhe lokale, koordinatorët rajonalë dhe akterë të tjerë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Lajme

27/10/2020 17:21

Pas takimit Zemaj, ka mbajtur një konferencë për media ka paralajmëruar mundësinë e izolimit të atyre komunave dhe viseve ku ka rritje të rasteve me koronavirus.

Ai paralajmëroi shtimin e monitorimit të zbatimit të masave anti-COVID për çka ka kërkuar edhe shtimin e 450 policëve.

“Kërkesa jonë do të jetë edhe përkrahje për logjistikë edhe për inspektorët edhe për policët. Tash e presim edhe kontingjentin e ri të 450 policëve. Ata do të jenë të angazhuar edhe si pjesë ndihmëse e zbatueshmërisë së masave”, tha Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë, gjithashtu ka bërë të ditur se nëse rastet vazhdojnë të rriten me ritmin e ditëve të fundit mund të dërgojnë në mbyllje të vendit.

Në anën tjetër, shumë vende të botës kanë rikthyer masat e ashpra kundër koronavirusit, por gjithashtu këto vende po përballen me protesta të ashpra. /Lajmi.net/