Kosovë – Serbi, ndodh diçka e çuditshme

Pavarësisht se është anëtare e Federatës Botërore të Taekwondo-së, ekipi i Kosovës në taekwondo, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Taekwondo-së, i cili pritet të mbahet këtë fundjavë në Zrenjanin të Serbisë.

Sport

04/12/2015 23:07

Pavarësisht se është anëtare e Federatës Botërore të Taekwondo-së, ekipi i Kosovës në taekwondo, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Taekwondo-së, i cili pritet të mbahet këtë fundjavë në Zrenjanin të Serbisë.

Nuhi Gashi, kryetar i Federatës së Taekwondo-së, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se të mërkurën në mbrëmje, Federata e Kosovës e ka marrë një letër nga Federate e Taekwondo-së së Serbisë, përmes së cilës është bërë me dije se Kosova nuk do të mund të paraqitet si vendet tjera.

“Ata na kanë lajmëruar që neve nuk na lejohet paraqitja me flamur, me himnin tonë, nuk na lejohet logo e madje na kanë thënë që nuk do të angazhojnë siguri shtesë ashtu siç ndodhë për ekipet e huaja”, ka thënë Gashi.

Me të marrë këtë njoftim nga Federata serbe, Gashi ka thënë se gjatë ditës së enjte i kanë dërguar letër Federatës Botërore të Taekwodno-së, Federatës Evropiane dhe asaj Ballkanike, por se asnjëra nga to, nuk ka kthyer përgjigje.

Ai ka bërë me dije se me këto kushte të vendosura nga shteti serb, ekipi i Kosovës nuk do të udhëtojë në garat ku marrin pjesë ekipet e të gjitha vendeve të Ballkanit.

Federata e Taekwondo-së së Kosovës është pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Taekwonodo-së, me të gjitha të drejtat e plota, në muajin maj të këtij viti.

Serbia është organizator i “Ballkaniadës” në taekwondo e cila do të mbahet në Zrenjanin, mes datave 5 dhe 6 dhjetor. Kishin qenë mediat në Serbi ato që kishin skandalizuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë garë, ku parashihej që himni e flamuri i Kosovës të paraqiten në Serbi.

Portali serb “Sport” kishte shkruar se e keqja e këtij organizimi është pafuqia e Serbisë.

“Taekwondistët nga Kosova vijnë në Zrenjanin, pasi që Federata e tyre është e pranuar në Unionin Ballkanik të Taekwondos, dhe kështu kanë të drejtë të garojnë”, ka thënë për “Sport” sekretari i përgjithshëm i Federatës Serbe të Taekwondos, Zoran Çendiq.

Kjo do të thotë se Serbia është e pafuqishme dhe si e tillë do të lejojë pjesëmarrjen e ekipeve të Kosovës. Madje ky medium serb e cilësonte si rast unik në botë pasi “një shtet ka dy përfaqësuese”.

Edhe taekwondistja më e mirë serbe, Milica Mandiq, këtë situatë e kishte cilësuar si të pakëndshme.

“Askujt nga ne nuk i vjen mirë që ekipe nga Kosova do të marrin pjesë. Jemi të dëshpëruar sidomos pasi që gjithçka po ndodh në raportin Serbi – Kosovë”, ka thënë Mandiq.

Më parë klube nga Kosova dhe Serbia janë ndeshur me njëra-tjetrën, por në terrene neutrale, kurse kjo mëtohej të ishte hera e parë që këto përballje të zhvillohen në Serbi.