Kosovë-Maqedoni, kalimet e kufirit vetëm me letërnjoftim?
Ali Ahmeti dhe Ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, kanë folur sot mbi mundësinë që qytetarët e dy vendeve të mund të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim.
Lajme
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, kanë folur në Tetovë për situatën politike në Kosovë e Maqedoni, për bashkëpunimin midis Prishtinës dhe Shkupit, sikurse edhe për projektet konkrete që do të afronin edhe më tepër qytetarët.
Ahmeti foli për rëndësinë që ka rruga midis Shkupit dhe Bllacës, kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftime nga qytetarët e dy vendeve, por edhe vendosja e pikave të përbashkëta kufitare dhe doganore, si dhe mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare.
“Pala kosovare është e interesuar që sa më shpejt të firmoset marrëveshja për kalim të kufirit me letërnjoftime dhe mirëpret synimin e qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë, me shpresë që punimet të fillojnë sa më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hysa, raporton Alsat-M.
Marrëdhëniet e ngushta politike dhe ekonomike me Kosovën duhet të thellohen edhe më shumë nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese bilaterale, por edhe të firmosjes së marrëveshjeve të reja.
Kreu i BDI-së uroi që liderët politikë të Republikës së Kosovës të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejt dhe gjithëpërfshirëse për ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të qershorit.