Kosovari që humbi jetën gjatë punës në Zvicër është Beslim Syla nga Berjaha e Gjakovës

Personi që ka humbur jetën në aksidentin e punës, të ndodhur të premten në Lucern, është Beslim Syla nga fshati Berjah i Gjakovës. I ndjeri po punonte pa dokumente në Zvicër.

Lajme

05/05/2015 14:02

Beslim Syla nga Gjakova kishte humbur jetën pasditen e të premtes, në një aksident pune në Lucern. Familjarët e të ndjerit kanë njoftuar se varrimi i tij bëhet sot në ora 15 në varrezat e fshatit Berjahë të Gjakovës. Një shok i tij, Bekimi nga Biel Biene ka thënë për albinfo.ch se Beslimi ka qenë punëtor dhe ka punuar vazhmisht për të siguruar ekzistencën e familjes në Kosovë.

Beslimi ka tri vjet që punon pa dokumente në Zvicër. Ai ka pësuar lëndime të rënda në kantierin e ndërtimit në qytetin e Lucernit dhe ka ndërruar jetë pastaj në vendin e ngjarjes, kishte njofuar policia.

Sipas njohurive të para, mbi kosovarin tashmë të ndjerë ka rënë materiali i skeles nga kamioni pirunier që e bartte materialin në fjalë. Dhe kjo ka qenë fatale për 33 vjeçarin.

Albinfo ka mësuar se bashkë me Beslimin ishte aksidentuar edhe një punëtor tjetër  shqiptar, i cili ka pësuar lëndime të lehta ndërsa italiani ishte arrestuar ngase nuk kishte leje të vozitjes për kamioni pirunier.

Beslim Syla ka lënë pas 3 fëmijë, një vajzë dhe dy djem. 3 vjet e gjysmë i ndjeri nuk kishte mundur ta vizitonte familjen në Kosovë për shkak të dokumenteve.