Kosovari pritet të ekstradohet në SHBA, mund të dënohet deri në 35 vite burgim

Nëse vërtetohen dyshimet ndaj 20 vjeçarit, Ardit Ferzi, i arrestuar me 15 shtator në Malajzi, atëherë ai mund të dënohet deri me 35 vjet burgim, ka njoftuar Departamenti Amerikan për Drejtësi. Kosovari i njohur si “Th3Dir3ctorY” po akuzohet se përmes një sulmi kibernetikë, ndaj një baze ushtarake amerikane, ka nxjerrë të dhëna, për rreth 1000 ushtarakë dhe punonjës tjerë federal e që më pas ua ka dorëzuar liderëve të ISIS’it.

Lajme

17/10/2015 17:22

Ferizi pritet të dal para gjykatës në Zyrën e Qarkut të Virxhinias, sapo të kryhet ekstradimi i tij në SHBA, nën dyshimet “për kryerjen e sulmeve kibernetike dhe marrjen e informacioneve identifikuese”, ka njoftuar të enjten Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Ardit Ferizi kishte komunikuar me njërin prej liderëve kryesorë të ISIS’it në Siri për të kryer sulmet kibernetike në disa server të SHBA’së që përmbanin informacione dhe detaje për personelin e sigurimit, ushtarak dhe ekipin federal.

Kështu, kosovari i arrestuar nga autoritet malajzeze dyshohet se informatat që i kishte nxjerrë nga njëra bazë e SHBA’së, mes muajve qershor dhe gusht të 2015’ës, i kishte transferuar tek Junaid Hussain, një nga anëtarët dhe hakeret kryesorë të ISIS’it i njohur edhe si Abu Hussain al-Britani. Ky i fundit thuhet të jetë vrarë pak kohë pasi i kishte marrë të dhënat, diku kah fundi i muajit gusht.

Por para se të gjente vdekjen, po në fillim të gushtit, Hussain kishte postuar një cicërimë në Twitter ku shkruante se “Ushtria dhe Qeveria Amerikane janë hakeratur nga ISIS – Divizioni i Hakerëve të Shtetit Islamik”, e më poshtë kishte bashkangjitur një lidhje (hyperlink) të një dokumenti 30 faqesh me të dhëna të nxjerra nga baza amerikane.

“Ne jemi në emalit tuaj dhe në sistemet kompjuterike duke shikuar dhe regjistruar çdo lëvizje tuajen. Ne kemi emrat dhe adresat tuaja. Ne kemi e-mailin tuaj dhe në llogaritë tuaja në rrjete sociale. Ne jemi duke nxjerr të dhëna dhe informacione konfidenciale dhe personale dhe këto jemi duke i dorëzuar tek ushtarët e kalifatit, të cilët së shpejti me lejen e Allahut do tu godasin në qafe dhe në tokën tuaj”, thuhej ndër tjera në postimit e al-Britanit.

E një muaj e gjysmë pas këtij njoftimi autoritetet në Malajzi kishin kapur të riun nga Kosova që lëshoi këto të dhëna në duart e anëtarit të ISIS’it, Abu Hussain al-Britani. Më vonë shefi i policisë kombëtare malajzeze, Khalid Abu Bakar, kishte njoftuar se personi që vartësit e tij kishin kapur ishte kosovari Ardit Ferizi, i cili hyri në Malajzi në gusht të vitit 2014 për të studiuar në shkenca kompjuterike dhe Mjekësi Ligjore në një institut privat në kryeqytetin Kuala.

Arditi vjen nga Gjakova dhe në vendlindjen e tij njihej me nofkën “Diti” si udhëheqës i grupit të hakerëve “Kosovo Hacker’s Security”. Si i mitur ai ishte arrestuar disa herë edhe nga Policia e Kosovës, por për shkak të moshës atij vetëm i ishin konfiskuar pajisjet kompjuterike. /Gazeta Express