Kosovari Berisha i pari shtetas gjerman para gjyqit për bashkim me ISIS-in

I riu Kreshnik Berisha me prejardhje nga Kosova sot ka dalë para gjyqit gjerman, ku do të gjykohet për pjesëmarrje në luftën e Sirisë. Ky rast është i pari që gjykohet në Gjermani, lidhur me pjesëmarrjen e shtetasve gjerman në organizatat terroriste islamike. 

Lajme

15/09/2014 18:22

Xhihadisti Berisha, po akuzohet për pjesëmarrje në grupin e militantëve ekstremist të Shtetit Islamik.

20-vjeçari i lindur në afërsi të kryeqytetit të biznesit gjerman, Frankfurt, nga një familje kosovare, është akuzuar për anëtarësimin në një organizate të huaj terroriste.

Ai mund të përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtor nga gjykata e lartë rajonale të qytetit.

Megjithatë kryetari i trupit gjykues ka propozuar një marrëveshje me të akuzuarin nëse ai pranon të bëjë një rrëfim të plotë, që do të ndihmonte autoritetet për të zbuluar edhe rastet tjera.

Avokatët mbrojtës thanë se do të përgjigjen për ofertën këtë të premte.

Berisha në gjykatore u paraqit me një mjekër si ato të xhihadistëve.

Gjyqi është duke u zhvilluar nën masa të forta sigurie në situatë kërcënuese ku shumë qytetarë po kthehen nga Siria dhe Iraku, ku ata kanë fituar trajnime të përdorimit të armëve dhe përvojë luftarake.

Berisha, i cili thuhet se i përkiste një klubi lokal hebraik të futbollit në rininë e tij, besohet të jetë radikalizuar, kur ai u takua me një grup të fundamentalistëve myslimanë.

Prokurorët federalë thonë se Berisha udhëtoi për në Siri nëpërmjet Turqisë në korrik 2013 me islamistë të tjerë që planifikonin të bashkohen në luftën për të krijuar një “kalifat islamik” i filluar në Siri dhe Irak.

“Ai donte të marrë pjesë në ndërtimin e një teokracie sipas ligjit të Sheriatit”, tha prokurori Horst Salzmann para trupit gjykues.

“Ai dha një betim. Ai ishte i gatshëm të vdiste për qëllimet e tyre”

Në gjashtë muajt e kaluar në Siri, ai besohet të ketë luftuar në të paktën tri beteja në anën e xhihadistëve kundër trupave të Presidentit Bashar al-Asad.

Ai u kthye në shtëpi në dhjetor të vitit 2013 për arsye që janë të paqarta për autoritetet gjermane, dhe u arrestua në aeroportin e Frankfurtit.

Prokurorët thonë se nuk ka asnjë provë se ai ishte duke komplotuar një sulm në Gjermani.

Autoritetet vlerësojnë rreth 400 shtetas gjermanë kanë udhëtuar për në Irak dhe Siri për të luftuar për militantët. (lajmi.net)