Kosovarët tani e njohin më mirë BE-në

Numri i qytetarëve të Kosovës të cilët kanë njohuri për Bashkimin Evropian dhe e kuptojnë rolin e tyre në Kosovë, ka shënuar rritje krahasuar me vitet e kaluara. 

Lajme

01/07/2014 15:20

Këtë e tregon raporti që është nxjerrë nga organizata joqeveritare Perspektiva Evropiane në Kosovë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një sondazhi që ata kanë bërë me qytetarët e Kosovës për rolin e BE-së në Kosovë. 

Përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, thanë se ideja fillestare për të kryer një anketë të tillë ishte që në vitin 2010, kështu për të vlerësuar opinionin publik rreth procesit të BE-së dhe atij të integrimeve evropiane. 

Stojan Pelko nga zyra e BE-së tha se kishin qëllim që të pyesnin për një varg punësh rreth misionit të BE-së në Kosovë. 

 “Gjeja e parë që është e domosdoshme të them është për një varg punësh jo vetëm për një punë, por një varg punësh katër vjeçare e cila është për secilin që di pak për statistika e di se sa e rëndësishme është të ketë trendë. Kështu që, ajo që unë mendoj se ne do të përfitojmë sot nuk është vetëm ajo që ka ndryshuar nga viti i kaluar në këtë vit në perceptimin e përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Kosovë, por se si situata ndryshoi nga 2010-2014 në Kosovë”. 

“Kjo është gjeja e parë e rëndësishme. Na jep fushëveprimin e aktiviteteve, jo vetëm një përshkrim te tyre. E dyta, asnjë sondazh nuk është i mirë po që se bëhet vetvetiu. Së pari është puna e PEK (Perspektiva Evropiane ne Kosove) që prodhon ketë sondazh dhe janë profesionistet që e kanë bërë këtë, kur them PEK është Perspektiva Evropiane në Kosovë. E dini se është një projekt katër vjeçar ku përfitues janë Ministria e Integrimeve Evropiane, Qeveria e Kosovës dhe zyra jonë që realizohet nga Fondet Evropiane të IPA-s”. 

Eksperti ligjor, Emrush Ujkani, tha se analiza në fjalë tregon se niveli i rritjes së informacioneve i qytetarëve për rolin e BE-së në Kosovë, ka ardhur për dy arsye. 

 “E para është se natyrisht duke shkuar tutje në proceset integruese këto procese bëhen edhe më dinamike dhe më përmbajtjesore, e dyta, se vendi ynë ka qenë pjesë e një dialogu politik i cili ka qenë i ndërmjetësuar prej Bashkimit Evropian dhe në fakt deshëm s’deshëm, qytetarët tonë kanë qenë të ngarkuar në një farë mënyre me këtë dialog i cili ka lënë gjurmët e veta”. 

“Unë dua të besoj për mirë në këtë rast, e dyta sa i përket asaj që çështja e ndjeshmërisë, se si do të ecim më tutje të dhënat janë shumë premtuese dhe unë do të dëshiroja që ato të mbesin të tilla deri në fund të procesit”. 

Sipas tij, tash e një kohë të gjatë tek qytetarët e Kosovës është krijuar bindja se BE-ja është një lloj parajse, dhe se përmes integrimit mund t’i zgjidhin të gjitha problemet. 

Por Ujkani thotë se integrimi duhet të ndodhë brenda vet Kosovës, dhe se problemet e korrupsionit dhe ato ekonomike duhet zgjidhen brenda vendit. 

Kështu, duke u bazuar në anketën që është bërë, ka dalë se qytetarët e Kosovës më së shumti preokupohen nga problemi i korrupsionit, situatës ekonomike e numrit të madh të të papunëve.