Kosovarët e lënduar dhe të mbetur jetim nga shteti

Institucionet e Kosovës janë të pafuqishme të reagojnë në rast se paraqitet një nevojë e tillë nga shtetasit që udhëtojnë në Serbi. Florian Qehaja thotë se e vetmja mënyrë e komunikimit të organeve të rendit të Kosovës me ato të Serbisë, mbetët ajo përmes EULEX-it. 

Lajme

19/07/2014 15:25

Duhet të ndodhin aksidente të rënda, si ky i fundit në Rudare të Kurshumlisë, për të parë se sa i fuqishëm është shteti i Kosovës, karshi qytetarëve të vetë, jashtë kufijve, e posaçërisht brenda territorit të Serbisë.

Lajmi për aksidentin e ndodhur brenda territorit të Serbisë, ku autobusi i linjës ndërkombëtare, Salzburg-Prishtinës doli nga rruga dhe la të lënduar disa udhëtarë, vuri në sprovë funksionalitetin e organeve të rendit dhe ato diplomatike të Kosovës.

Në një rast normal, të parët që do të reagonin, do të ishin organet e rendi, policia dhe të kontaktonte me homologët e tyre serbë, por kjo nuk ndodhë, për shkak të mosdefinimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Me tu marrë lajmi për aksidentin, redaksia kontaktoi zyrën për informim në Policinë e Kosovës, mirëpo, përgjigja ishte se nuk është në kompetencën e tyre, dhe se për këtë duhet të kontaktohet Ministria e Jashtme apo Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd.

Mirëpo, sipas ekspertëve të çështjes së sigurisë, edhe fuqia e kësaj zyre është e limituar.

Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha për lajmi.net se e vetmja mundësi që u mundëson organeve të Kosovës të komunikojnë me ato serbe, janë organizatat ndërkombëtare.

Ai bëri të ditur se, këto gjëra kanë mbetur të paqarta edhe në Marrëveshjen e Brukselit të arritur më 19 prill të vitit të kaluar.

Duke treguar për rastet e më hershme të bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Qehaja përmend EULEX-in si ndërmjetësues të këtyre raporteve.

“Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë një lloj bashkëpunimi përmes EULEX-it, në raste ku, disa qytetarë të Serbisë kanë pas probleme në Kosovë. Policia e Kosovës i ka dërguar ata deri në pikën kufitare të Merdarës dhe i janë dorëzuar Policisë së Serbisë. Mendoj se edhe organet tona, duhet me vepru në mënyrë reciproke”.

Qehaja vlerësoi se në këtë rast edhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, është e pafuqishme të reagojë në këso situatash, pasi që, sipas tij, Serbia nuk e njehë subjektivitetin e Kosovës.

“Nga aspekti politik, dihet që ata nuk e njohin subjektivitetin e Kosovës, kështu që në këtë aspekt, Ministria e Punëve të Jashtme kurrfarë qasje nuk ka atje, dhe nuk do të mundë të vendos kontakt të drejtpërdrejtë”.

“Nëse ka autoritet atje zyra e Kosovës unë dyshoj. Ata kanë vetëm një rol simbolik, kështu që në këtë rast, mendoj që më së miri është të aktivizohet EULEX-i”.

Fatkeqësisht, këtë çështje nuk e rregullon as Marrëveshja e Brukselit e arritur në mes të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

Qehaja thotë se këto raste, nuk janë paraparë në këtë marrëveshje, pasi që ajo rregullon vetëm lirinë e lëvizjes.

“Në bazë të marrëveshje së Brukselit nuk parashihet diçka për raste të tilla. Ajo çka është paraparë, është liria e lëvizjes dhe mundësia për ta kaluar kufirin dhe për të vepruar lirshëm. Por, në kuptimin e asistencës reciproke, nuk e kemi mundësi juridike të asistojmë apo komunikuar”, ka thënë Qehaja për lajmi.net.