Kosovarët do të shpenzojnë 5 euro më shumë gjatë verimeve në Shqipëri
Të gjithë ata që shfrytëzojnë Rrugën e Kombit, shumë shpejtë do të fillojnë të paguajnë për shfrytëzimin e saj. Kjo pasi Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, gjatë janarit do ta mbyllë tenderin për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit.

Lajme
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka konfirmuar sot se tenderi për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit do të mbyllet brenda muajit janar. Sa i përket tarifës, ai nuk ka folur për një shifër të saktë por ka thënë se kjo do të varet nga ofertat e kompanive që do të marrin pjesë në procesin tenderues.
Megjithatë nga analizat e bërë deri më tani taksa që do të duhet të paguajnë drejtuesit e automjeteve që do të kalojnë në këtë rrugë me qëllim mirëmbajtjen e saj, do të jetë rreth 5 euro.
“Rruga e Kombit e kam thënë edhe më herët është në fazën përfundimtare të përgatitjes së procesit të tenderimit dhe pjesa e tarifës do të jetë pjesë e ofertave që do të sillen në këtë tenderim nga kompani të ndryshme. Jemi në fazën përfundimtare, unë jam optimist që brenda muajit janar tenderi do të shpallet,” tha ministri Haxhinasto, i cili më herët pati deklaruar se procesi i dhënies me koncesion të kësaj rruge do të mbyllej brenda dhjetorit të vitit 2014.
Këto deklarata ministri i bëri paraditen e sotme, ndërsa, ishte i pranishëm për një inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Kontrollit të Transportit Rrugor, ku është ngritur një strukturë e posaçme policie.
Ministri tha se është detyrë e ‘policëve gri’ siç quhen ata nga uniforma që mbajnë veshur, të kujdesen për sigurinë rrugore qoftë për qytetarët, qoftë për përdorimin e rrugëve, dhe shmangien e rasteve të keqpërdorimit nga drejtues automjetesh apo nga biznese të caktuara.
“Sot inspektojmë shërbimin e kontrollit të transportit rrugor, një shërbim jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm i gjithë sistemit të transportit. Ky shërbim ka detyra shumë të rëndësishme përsa i takon shfrytëzimit ekonomik të mjeteve të transportit për sa i takon shfrytëzimit të infrastrukturës tonë rrugore, për sa i takon gjendjes së automjeteve që përdoren në transport, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore të përdoruesve të rrugës,” tha ministri Haxhinasto.