Kosova vend “pjesërisht i lirë”

14:16 | 24 Janar 2014

Freedom House

Raporti vjetor i Freedom House e rangon Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën, në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira”. Ndërkaq, Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi, janë cilësuar si “vende të lira”.

Në Raportin vjetor të Freedom House, për liritë në botë për vitin 2014, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”.

Në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të lirive civile me notën 4.

Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, Kosova nuk ka “luajtur” nga vendi, pasi që ka po të njëjtin vlerësim.

Nota 1 në raportin e Freedom House, paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 paraqet atë më të dobët.

Në përgjithësi ky raport, tregon se liritë nëpër botë janë përshkruar me një represion të intensifikuar në Euroazi dhe Lindje të Mesme, ku gjendja e lirisë ka shënuar rënie.

Vendet e rajonit, nuk janë hiç më mirë se Kosova. Shqipëria po ashtu është në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira” me notë 3 për të drejtat e njeriut dhe për liritë civile. Edhe Shqipëria, ka mbetur në vendin e njejtë të klasifikimit, njësoj si në raportin e vitit paraprak.

Poashtu, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia kanë nota të ngjashme si Shqipëria- pra notën 3 për të drejtat politike dhe për liritë civile.

Ndërkaq, në vendet e lira janë përfshirë, Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi.

Sipas raportit të Freedom House, Rusia, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Venezuela dhe Indonezia janë vende ku ka pengesa serioze në të drejtat demokratike.

në raportin e këtij viti, theksohet se në Egjipt ka kthim prapa në zhvillimet demokratike, ndërsa ka  pasur “pengesa serioze” në të drejtat politike në Turqi.