Kosova U20, Karabegu cakton 12-shen përfundimtare për Kampionatin Evropian

Basketbollistët e Kosovës U-20 të mërkurën kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në Prishtinë para se të udhëtojnë drejt Portugalisë.

Sport

10/07/2019 16:38

Kosova U-20 (meshkujt) do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet nga 12 deri më 21 korrik, në Matosinhos/Portugali. Kosova ndodhet në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

Kështu pas stërvitjeve intensive që i kanë mbajtur në Prishtinë, basketbollistët shpresojnë se do të tregojnë lojëra të mira në Evropian, edhe pse nuk do ta kenë aspak lehtë.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Ibrahim Karabegu ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Sot (e mërkurë) kishim stërvitjen e fundit dhe në mbrëmje do të fluturojmë drejt Portugalisë. Përgatitjet kanë shkuar mirë, edhe pse fatkeqësisht kemi pasur lëndime, si Dardan Kapiti dhe ArditPepaj, që përbëjnë edhe boshtin e ekipit. Gjendja e tyre do të vlerësohet nga mjekët. Kapiti është i gatshëm, por jo 100 %”, ka thënë Karabegu.

Ai foli edhe për gjasat e Kosovës në këtë Evropian. “Ne synojmë të bëjmë paraqitje të mira. Nuk kemi synime të mëdha, por do të japim maksimumin nga vetja. Ndeshjen e parë e kemi ndaj Estonisë, ku nuk do ta kemi aspak lehtë, sepse 5 lojtarë të saj luajnë në liga të forta evropiane. Pak më lehtë e kemi me Armeninë dhe Gjeorgjinë. Megjithatë, e theksoj se nuk kemi synime të mëdha, por të japim maksimumin dhe të përfaqësojmë denjësisht shtetin tonë në Portugali”, përfundoi Ibrahim Karabegu.

Ndeshja e parë e Kosovës do të jetë ndaj Estonisë, të premten nga ora 17:00.

Lista e Kosovës për Evropian

1. Andi Vrapçani

2. Arbër Sinani

3. Ardit Pepaj

4. Atik Koshi

5. Dardan Kapiti

6. Erhan Sholla

7. Gazzali Maksiqi

8. Leon Neziri

9. Rilind Krasniqi

10. Meriton Ismajli

11. Rron Ukaj

12. Ylli Gashi

Trajnerë: Ibrahim Karabegu, Lorik Kllokoqi, Egzon Uka

Fizioterapeut: Albion Ramadani

/Lajmi.net/