Kosova të formojë Task Forcë për ndalimin e migrimit ilegal
Kosova duhet të formojë një Task Forcë të nivelit më të lartë për ta ndaluar lëvizjen ilegale të qytetarëve të Kosovës drejtë Bashkimit Europian. Kështu kanë vlerësuar ministri i Integrimeve Bekim Çollaku dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Lajme
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka pritur në një takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, thuhet se rëndësi të veçantë në këtë takim iu kushtua problemit të migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës në vendet anëtare të BE-së, ku Çollaku e Daviet, u pajtuan që Qeveria duhet ta themelojë një Task Forcë të nivelit më të lartë për ta ndaluar lëvizjen ilegale të qytetarëve të Kosovës, drejt Bashkimit Europian.
“Trendi në rritje i migrimit ilegal duhet të ndalohet sepse në të kundërtën mund ta rrezikojë procesin shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave”.
“Për të qenë më efikas në ndalimin e kësaj dukurie negative, ministri Çollaku dhe ambasadorja Daviet u pajtuan se është e nevojshme që të themelohet një Task Force në nivelin më të lartë të qeverisë e cila në bashkëpunim me institucionet relevante, duke përfshirë shoqërinë civile dhe mediat, do të ndërmerr veprime të koordinuara për të ndalur trendin në rritje të migrimit ilegal”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, ministri Çollaku falënderoi ambasadoren Daviet për ndihmën e përhershme që Franca ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë për Kosovën në të gjitha sferat, si në kuadër të shtetndërtimit po ashtu, të plotësimit të kritereve për integrim në Bashkimin Evropian (BE).
“Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është në rrugë të sigurt dhe për arritjen e këtij qëllimi, është shtuar edhe dinamika e punës në përmbushjen e kritereve të domosdoshme”.
“ Institucionet e Kosovës dhe qytetarët tanë janë plotësisht të përkushtuar për t’i kontribuar procesit të integrimit evropian të bindur se anëtarësimi në familjen evropiane është plotësisht në përputhje me interesin tonë nacional për një shtet dhe shoqëri që ndan dhe afirmon vlerat civilizuese perëndimore”, tha ndër të tjera Ministri Çollaku.
Ambasadorja Daviet e uroi ministrin Çollaku për përgjegjësinë e re dhe u zotua se Qeveria Franceze nëpërmjet Ambasadës në Kosovë do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e sajë drejt anëtarësimit në BE.