Kosova siguron gati 58 milionë euro grante, pritet të investohen në banim social dhe parkun solar të KEK-ut
Qeveria e Kosovës ka arritur të përfitojë tri grante nga Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimore, në vlerë totale prej 57,6 milionë eurosh. Kështu është bërë e ditur nga vetë Qeveria e Kosovës me anë të një komunikate për media të enjten, duke thënë se grantet përfshijnë përgatitjen e projektit për banim social…
Lajme
Qeveria e Kosovës ka arritur të përfitojë tri grante nga Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimore, në vlerë totale prej 57,6 milionë eurosh.
Kështu është bërë e ditur nga vetë Qeveria e Kosovës me anë të një komunikate për media të enjten, duke thënë se grantet përfshijnë përgatitjen e projektit për banim social (2,08 milionë euro), atë të parkut solar (33,07 milionë euro) dhe për ngrohje qëndrore në Prishtinë (22,47 milionë euro), raporton lajmi.net.
“Këtu përfshihet granti për përgatitjen e projektit për banimin social në vlerë prej 2.08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve që kanë vlerën totale prej 47.5 milionë euro. Gjithashtu, granti investues për parkun solar në KEK në vlerën 33.07 milionë euro, si pjesë e investimeve që kanë vlerën totale prej 103.33 milionë euro. Granti i tretë është ai investues për ngrohjen qendrore në kryeqytet në vlerë prej 22.47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kanë vlerën 76.368 milionë euro”, njoftohet në komunikatën e Qeverisë.
Banimi social është premtim elektoral i Qeverisë Kurti. Udhëheqësi i Qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se brenda mandatit, synon që t’u ndihmojë katër mijë familjeve përmes programit për banim social.
Kurti ka bërë të ditur se janë dy skema që do t’ua mundësojnë familjeve përfituese të bëhen me banesa. Njëra është për familjet që mund të paguajnë këste nga 120 euro për 120 muaj dhe tjetra për 150 euro për maksimalisht 150 muaj.
Sipas Qeverisë, projektet për të cilat janë përfituar grantet do të realizohen në kombinim me huat që do të merren nga bankat përkrahëse për këto projekte, sikurse Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (CEB), Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI).
Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve dypalësh, që synon të rrisë bashkëpunimin dhe bashkërendimin për sa i përket investimeve që kanë për synim zhvillimin socio-ekonomik dhe kontribuimin në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/