Kosova, shteti ku gjithçka duhet të përcaktohet me ligj
Shkruan: Doruntina Meha Krizat e fundit institucionale kanë dëshmuar një karakteristikë të veçantë të sistemit tonë politik: në Kosovë, pa një rregull të shkruar dhe të saktë, proceset nuk ecin përpara. Çdo situatë që nuk është rregulluar qartë me ligj apo Kushtetutë, rrezikon të shndërrohet në krizë funksionimi. Ngërçi aktual për zgjedhjen e Kryetarit…

Opinion
Shkruan: Doruntina Meha
Krizat e fundit institucionale kanë dëshmuar një karakteristikë të veçantë të sistemit tonë politik: në Kosovë, pa një rregull të shkruar dhe të saktë, proceset nuk ecin përpara. Çdo situatë që nuk është rregulluar qartë me ligj apo Kushtetutë, rrezikon të shndërrohet në krizë funksionimi.
Ngërçi aktual për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është shembulli më i freskët. Kushtetuta parashikon që Kryetari të zgjidhet në seancën e parë, por mungesa e një afati të saktë ka lënë hapsirë për interpretime politike, duke shëndrruar Kuvendin në një fushëbetejë të vullneteve të papërgjegjshme dhe duke rrezikuar stabilitetin institucional.
Kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Kuvend. Në të gjithë administratën shtetërore dhe sistemin gjyqësor, mungesa e rregullave të qarta dhe zbrazëtirat juridike kanë krijuar pengesa serioze për qytetarët.
Një shembull tjetër është mungesa e një gjykate administrative të veçantë në Kosovë. Aktualisht, Departamenti për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës është i vetmi që trajton konfliktet administrative për të gjithë territorin e Kosovës, duke e bërë të vështirë për qytetarët nga pjesë të ndryshme të vendit të kenë qasje të lehtë në drejtësi.
Në shumë demokraci të konsoliduara, funksionimi institucional mbështetet edhe në traditën politike, kulturën e përgjegjësisë dhe në respektimin e frymës së Kushtetutës. Por në Kosovë, për fat të keq, çdo boshllëk përdoret për të bllokuar proceset. Kjo tregon se, përveç forcimit të normave ligjore, është i domosdoshëm ndërtimi i një kulture politike që e respekton interesin publik mbi kalkulimet e momentit.
Në këtë kontekst, amandamentimi i Kushtetutës dhe përmirësimi i legjislacionit për procedurat parlamentare nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri shtetformuese. E ardhmja e stabilitetit dhe funksionalitetit institucional në Kosovë varet nga gatishmëria jonë për të kuptuar këtë nevojë themelore: gjithçka që është e rëndësishme për shtetin, duhet të jetë e qartë dhe e detajuar në ligj.